Pasi lejoi “Amazonin” të filmonte në shtëpinë e tij për dokumentarin lidhur me Arsenalin, mesfushori shqiptar Granit Xhaka ua ka dhënë tifozëve mundësinë që të shohin diçka nga pasuria e tij e majme dhe jeta personale.
29-vjeçari është figurë kyçe e Arsenalit, ndërsa për shkak të përplasjes me tifozët më 2019 ka edhe tifozë të shumtë që e kanë kritikuar. Pasi me bujë pati humbur shiritin e kapitenit dhe me kohë arriti të kthente tifozët për vete, Xhaka ka folur në dokumentarin “All or Nothing” duke treguar se “s’ka asgjë çfarë të fshehë”.
Reprezentuesi i Zvicrës jeton në një rezidencë të mrekullueshme në periferi të Londrës veriore me bashkëshorten Leonita Lekaj - me të cilën u martua më 2017 - dhe dy vajzat e tyre, Ayana dhe Laneya, shkruan “DailyStar”.

Lojtari është ndër më të paguarit te “Topçinjtë”. Sipas “Sportsbrief”, mesfushori me rrënjë nga Kosova ka pasuri prej më shumë se 20 milionë eurosh.
Graniti qe takuar me Leonitën kur luante te Borussia Monchengladbachu. U fejuan më 2016 pas dy vjetësh lidhjeje.
Leonita po ashtu ka famë në rrjete sociale. Numëron rreth 185 mijë ndjekës në Instagram. Shumicën e kohës e kalon me familjen.