Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dy të akuzuar për vrasjen e para 18 vjetëve të reperit Jam Master Jay

Reperi Jam Master Jay, njëri nga themeluesit e grupit të njohur Run-DMC, ishte vrarë në vitin 2002. Tani prokurorët në SHBA thonë se i kanë duke paditur dy persona për vrasjen e tij, në përpjekjen që të zgjidhet vrasja më e madhe e pazgjidhur në botën e repit.

Jam Master Jay, emri i vërtetë i së cilit ishte Jason Mizell, u vra në një studio xhirimi kur ishte 37 vjeç, në lagjen Queens të New Yorkut, shkruan Reuters të hënën.

“Ky është rast i një vrasjeje e cila qe dy dekada nuk është zgjidhur, andaj që nga sot do të fillojmë t’i përgjigjemi pyetjes së kush dhe pse e vrau Jason Mizellin”, tha Seth DuCharme, prokurori për Rajonin Lindor të New Yorkut, transmeton KOHA.

Njëri nga të akuzuarit, Karl Jordan Jr., është deklaruar i pafajshëm për vrasje dhe tetë akuza për narkotikë. I akuzuari tjetër, Ronald Washington, do të thirret në pyetje në fund të javës. Nëse dënohen, mund të përballen me 20 vjet burgim secili.

Run-DMC, njëri nga grupet më të njohura të repit në vitet e 80-ta, u themelua në New York.

Sipas padisë, Washingtoni dhe Jordani kishin hyrë në studion e Mizellit në Queens më 30 tetor të vitit 2002. Që të dy kishin qenë të armatosur dhe Jordani e kishte gjuajtur me dy plumba Mizellin.

Hetuesit thonë se motivi ka qenë një mosmarrëveshja rreth distribuimit të afro 10 kg kokainës, marrëveshje të cilën Mizell e kishte refuzuar.

Artikuj të ngjashëm