Vitin e kaluar, zyrtarët e trashëgimisë së Roy Orbison e krijuan një turne në Britani të Madhe ku ai u shfaq në formën e hologramit. Tani, ata janë të gatshëm ta përsërisin këtë përvojë me një tjetër turne, dhe po e sjellin një formë virtuale të njërit prej miqve të tij, Buddy Holly, për atë që ata e quajnë turneu Rock 'n' Roll Dream.
Projekti u krijua nga BASE Hologram, ekipi që ishte përgjegjës edhe për produksionin e vitit të kaluar, përfshirë regjisorin Eric Schaeffer. Ai do të përmbajë orkestrim të drejtpërdrejtë dhe këngëtarë mbështetës që performojnë nën këngët e riregjistruara vokale të dy rokerëve të hershëm me ndikim. Koncertet priten të zgjasin në mes 75 dhe 90 minuta, shkruan KOHA Ditore.
"Muzika e babait tim kishte shumë rëndësi jo vetëm për ne Orbisonët, por edhe për adhuruesit në mbarë botën", tha Roy Orbison Jr. në një deklaratë të ribotuar në Rolling Stone. "Të jesh në gjendje ta rihapësh librin e tij legjendar të këngëve dhe përsëri ta dëgjosh zërin e tij të jehojë në muret e mëdha të sallave të koncerteve është një përvojë si transcendente ashtu edhe relaksuese. Babai u takua me Buddyn në Lubbock të Texasit dhe ndihmoi në ndryshimin e historisë së muzikës duke e sjellë Buddyn në Norman Petty Studios; Buddy më vonë ia ktheu këtë nder duke i regjistruar dy nga këngët e babait në albumin e tij të parë “Crickets”. Sa e mahnitshme dhe e veçantë është që këta dy miq të mëdhenj tani do të shkojnë në turne botëror së bashku".
Maria Elena Holly, e veja e Hollyt, shtoi se ata të dy ishin "teksanë që e kishin një respekt dhe adhurim të ndërsjellë për gjenialitetin kreativ muzikal të njëri-tjetrit dhe aftësitë e shkëlqyera të krijimit të këngëve. Adhuruesit e tyre afatgjatë dhe një gjeneratë e re adhuruesish tani do ta kenë mundësinë t’i shohin këto legjenda të mëdha të performojnë së bashku në një ambient unik, duke i paraqitur dy nga artistët më të mirë, më me ndikim dhe më të dashur në historinë e muzikës".
-
Elvis Presley do të rikthehet në skenë përmes hologramit
-
Anulohet turneu holografik i Amy Winehouse
-
The Rolling Stones shtyjnë planet për turne, Mick Jagger shpreson për rikthim sa më shpejt
-
Robbie Williams paralajmëron koncertin e karrierës për promovim të albumit të ri
-
Londra, nikoqire e pikturave origjinale të Bob Dylanit