Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Olivia Wilde mendon se publiku po e gjykon ashpër

Olivia Wilde i ka kritikuar reagimet e ndryshme që publiku i ka ndaj saj, krahasuar me ish të fejuarin, Jason Sudeikis, duke thënë se ai po vlerësohet si hero kuse ajo si një nënë që mungon në jetën e fëmijëve të tyre.

Aktorja dhe regjisorja 38-vjeçare, aktualisht është e përfshirë në një betejë ligjore me aktorin 46-vjeçar, rreth kujdestarisë ligjore të dy fëmijëve të tyre, Otis dhe Daisy.

Wilde, tani është në lidhje romantike me këngëtarin dhjetë vjet më të ri në moshë, Harry Styles, ani pse ende nuk është e qartë se kur filloi kjo romancë dhe kur u nda nga Jason Sudeikis.

Duke folur për të gjitha spekulimet rreth jetës së saj private, Olivia për revistën “Variety” tha: “Një prej gjërave më lënduese për mua ishte që, gratë më kanë kritikuar për faktin se e mora një vendim në favor të shëndetit dhe lumturisë sime personale”.

Tutje ajo diskutoi për krahasimet e padrejta që i janë bërë pas ndarjes, krahasuar me ish të fejuarin e saj.

“Kur njerëzit më shohin në rrugë apo në ndonjë ngjarje dhe nuk i kam fëmijët me vete, menjëherë më gjykojnë ashpër dhe mundohen të më turpërojnë. Unë kurrë nuk e kam dëgjuar dikë të reagojë kështu ndaj ndonjë burri. Kurse, kur Jason shihet në shoqërinë e fëmijëve tanë, atëherë e quajnë atë një hero”.

Wilde dhe Sudeikis ishin në lidhje dashurie për gati dhjetë vjet, nga viti 2011 deri më 2020, dhe në të njëjtën intervistë, aktorja e kritikoi ish të fejuarin për faktin se ia kishte dorëzuar dokumentet gjyqësore para një publiku të madh, ndërsa ajo ishte në skenë në ngjarjen kinematografike “CinemaCon”. Olivia e quajti këtë incident të shëmtuar “një sulm në vendin e saj të punës”, por tha se nuk ishte e befasuar që kjo ndodhi sepse kishte një arsye pse ajo u largua nga ajo lidhje.

Image

Para katër muajve, Wilde ishte në skenën e eventit “ComicCon” duke e promovuar filmin e saj të ardhshëm, “Don’t Worry Darling”, kur një burrë iu afrua në praninë e gjithë publikut dhe ia dorëzoi dokumentetet përmes së cilave, Sudeikis, kishte bërë këresë të kujdestarisë së plotë të fëmijëve të ish-çiftit, pasi dëshiron që ata të jetojnë me të në New York City.

Së fundmi, aktorja e shënoi një fitore ligjore kur një gjykatës vendosi se, Kalifornia do të vazhdojë të jetë vendbanimi i fëmijëve të tyre.

Tani, Wilde dëshiron të fokusohet në atë që është më e mira për fëmijët e saj, dhe pavarësisht se është e zemëruar rreth dramave që po ua shkakton beteja ligjore rreth kujdestarisë së tyre, ajo sërish dëshiron që Otis dhe Daisy të kenë mundësi ta takojnë babanë e tyre sa më shpesh që është e mundur.

Burime të afërta kanë bërë të ditur se aktorja e filmit “Life Itself” dhe ylli i serialit “Ted Lasso”, shumë rrallë flasin me njëri-tjetrin dhe preferojnë të komunikojnë përmes mesazheve telefonike apo asistentëve të tyre.

Image
Artikuj të ngjashëm