Një djalosh nëntë vjeçar ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në koncertin e reperit, Travis Scott, në Houston të Texasit.
Ezra Blount po e ndiqte festivalin “Astroworld” i shoqëruar nga babai i tij, Treston Blount, kur u pushtuan nga turma e madhe e njerëzve gjatë performancës së Scottit. Kjo tragjedi ndodhi në fillim të muajit nëntor me ç’rast në vendin e ngjarjes vdiqën plot shtatë persona, kurse qindra të tjerë mbetën të lënduar. Ezra pasi e kaloi një javë në spital në gjendje kome të nxitur nga mjekët, kjo për shkak se kishte pësuar dëme të mëdha të organeve, familja e tij e ka konfirmuar lajmin e hidhur që më i vogli i tyre fatkeqësisht nuk ka arritur t’i mbijetojë lëndimeve të rënda.
Avokati i familjes Blount, Ben Crump, përmes një prononcimi publik deklaroi: “Sonte familja Blount është e pikëlluar dhe po e vuan humbjen e pakuptueshme të djalit të tyre të vogël dhe të çmuar. Ky nuk duhet të ishte rezultati i marrjes së djalit të tyre në një koncert, gjë që ishte paraparë të jetë një festë e gëzueshme. Vdekja e Ezras është absolutisht zemërthyese. Ne jemi të përkushtuar të kërkojmë përgjigje dhe drejtësi për familjen Blount. Por, sonte qëndrojmë në solidaritet me familjen, në pikëllim dhe në lutje”.
Të premten më 12 nëntor, babai i Ezras i tha mediave se ata ishin vendosur në radhët e fundit të turmës në koncert dhe sa më larg skenës, kjo ngase mendonte se kah fillimi kishte shumë njerëz dhe ishte një tollovi e madhe.
Sidoqoftë, Treston e kishte humbur vetëdijen nga presioni i shkaktuar nga ndjekësit e koncertit, duke bërë që Ezra, i cili po qëndronte i ulur në krahët e të atit, të rrëzohej dhe të përfshihej nga turma. Me t’u kthjellur, Treston e kishte mësuar se djali i tij ishte dërguar në spital dhe vuante nga entja e trurit dhe dëmtimi serioz i organeve.
Vdekja e Ezras e dërgon numrin e viktimave të festivalit “Astroworld” në 10. Si pasojë e kësaj tragjedie të vdekur kanë mbetur edhe Jacob Jurinek 21-vjeçar, John Hilgert 14-vjeçar, Brianna Rodriguez 16-vjeçare, Franco Patiño 21-vjeçar, Axel Acosta 21-vjeçar, Rudy Peña 23-vjeçar, Madison Dubiski 23-vjeçare, Danish Baig 27-vjeçar dhe Bharti Shahani 22-vjeçare.
-
Vdes edhe një 9-vjeçar që u lëndua në festivalin e Travis Scottit
-
Familjarët e viktimave të festivalit “Astroworld” refuzojnë ofertën e Travis Scottit
-
Dhjetëra padi të tjera për koncertin ku mbetën të vdekur 9 persona
-
Vdiq edhe një 22-vjeçare e lënduar në koncertin e Travis Scottit
-
Travis Scott dhe Drake paditën pas vdekjes së tetë personave në koncertin e tyre