Artistja e njohur, Nicole Scherzinger ka thënë se nuk është ndier asnjëherë e kënaqur me karrierën e saj derisa mori rol në shfaqjen teatrale “Sunset Boulevard”.
Ish-këngëtarja e grupit muzikor “Pussycat Dolls”, e cila ditë më parë ka fituar çmimin “Tony” për performancën e saj teatrale, ka shprehur mirënjohjen për mjuzikëllin e Andrew Lloyd Webberit, e cila sipas saj, ia ka ndryshuar jetën, ka shkruar FemaleFirst.
“Gjithmonë më është dukur sikur nuk po e shfrytëzoj plotësisht potencialin tim, qëllimin tim, dhe asnjëherë s’kam qenë e lumtur me vetveten, asnjëherë e kënaqur. Kjo më ka ndodhur sepse e dija që kam shumë më shumë për të dhënë, dhe ky rol më ka mundësuar të jap gjithçka nga vetja, dhe më ka ndryshuar jetën, dhe jam shumë mirënjohëse për këtë”, ka thënë Scherzinger në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Tony”.
46-vjeçarja beson se puna e saj në teatër, për të cilën u shpërblye me çmim “Tony” për “Aktoren më të mirë në shfaqje mjuzikëll”, e ka ndihmuar të gjejë një mënyrë më të mirë për t’u lidhur me njerëz.
“Jam shumë mirënjohëse që tash kam mundësi që të lidhem me njerëzit në mënyrë më të thellë e në nivel spiritual, që arrita të bëj ndryshimin në jetët e njerëzve, sepse për këtë punojmë. Kjo është pikërisht ajo për të cilën punojmë. Prandaj jam thjesht shumë falënderuese”, ka thënë ndër të tjera aktorja.
Ajo tutje ka shprehur mirënjohjen për Zotin, pasi ka thënë se ai i ka ndihmuar kur ajo ishte duke menduar të hiqte dorë.
Përgjatë fjalimit të saj, kur doli ta pranonte çmimin në fjalë, Scherzinger i ka bërë thirrje njerëzve që të mos heqin dorë asnjëherë nga ëndrrat e tyre.
“Nëse ka dikush që ndihen sikur nuk përket askund e nuk i ka ardhur koha që të korrë sukses, mos u dorëzo. Vetëm vazhdoni të dhuroni gjithçka nga vetja, sepse bota ka nevojë për dashurinë e dritën tuaj më shumë se kurrë. Ky është një testament që tregon se dashuria gjithmonë fiton”, ka thënë ish anëtarja e jurisë së X Factor.