Showbiz

Nicolas Cage, baba për herë të tretë

Ylli i njohur i kinematografisë, Nicolas Cage, dhe bashkëshortja e tij 27-vjeçare, Riko Shibata, e kanë mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të parë së bashku. Njëherësh, ky është fëmija i tretë për aktorin 58-vjeçar.

Foshnja është vajzë dhe është pagëzuar, August Francesca Coppola Cage. Ajo erdhi në jetë të mërkurën (7 shtator) në spitalin e Los Angelesit.

Zëdhënësi i aktorit e konfirmoi lajmin e gëzuar për revistën “People”, me ç’rast bëri të ditur se foshnja dhe e ëma janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Cage e ka një djalë 31-vjeçar të quajtur Weston Coppola Cage, me ish të dashurën Christina Fulton dhe një djalë 16-vjeçar, Kal-El, nga martesa e tij e kaluar me Alice Kim.

Nicolas dhe Riko u takuan në Japoni në vitin 2020, kur aktori ishte duke e xhiruar filmin “Prisoners Of Ghostland”. Riko po ashtu e kishte fituar një rol të vogël në këtë projekt. Pasi u fejuan përmes një videolidhjeje, çifti e kurorëzoi lidhjen me martesë në shkurt të vitit 2021 në Las Vegas.

Shibata është bashkëshortja e pestë e yllit të filmit “Face/Off”. Në të kaluarën, Cage ka qenë i martuar me aktoren Patricia Arquette, vajzën e mbretit të muzikës rock ’n’ roll, Lisa Marie Presley, aktoren aziatike Alice Kim dhe grimeren Erica Koike, martesë kjo e cila zgjati vetëm katër ditë.