Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Nezafete Shala, zëri i melodive autentike

Zëri i saj i veçantë është bërë një urë lidhëse me këngët e vjetra qytetare.

Kafenetë e kryeqytetit janë skena kryesore e Nezafete Shalës dhe anëtarëve të grupit “Melodia e Vjetër”, transmeton emisioni Express në KTV.

Vitet vetëm se ia kanë forcuar besnikërinë ndaj muzikës autentike shqiptare dhe këngët që i interpreton sot, e kanë përcjellë që nga fëmijëria.

“Melodia e Vjetër” përbëhet nga anëtarët e familjes Shala, Agim Malazogu e Lulzim Kazazi dhe grupi është aktiv që nga viti 1980.

Me instrumentet muzikore def, harmonikë e mandolinë, meloditë dhe zërat e tyre vijnë përmes një gjuhe të natyrshme muzikore.

Defi dhe veshjet me motive kombëtare janë identifikuese për origjinalitetin e Nezafete Shalës.

Përmes mbrëmjeve koncertale me një program të pasur me këngë të Shqipërisë së Mesme, ata po dëgjohen nga publiku i moshave të ndryshme, sidomos nga të rinjtë.

Nezafete Shala, para disa dekadash, mori hov me incizimet e saj në Radio Prishtinë dhe prej atëherë, është paraqitur në festivale të ndryshme.

Nezafete Shala ka përfunduar studimet bachelor për muzikë në Universitetin e Prishtinës dhe studimet master në Zagreb. Kohëve të fundit, ajo e ka shtuar prezencën në skenën e kryeqytetit.

Artikuj të ngjashëm