Showbiz

Mozziku u intervistua për shmangie doganore, orët në vlerë mbi 1.3 milionë iu ndaluan

mozzik

Foto: Arkiv

Reperi Gramoz Aliu, i njohur si Mozzik, është ndaluar dhe intervistuar nën dyshimet për shmangie nga obligimet doganore. 

Dogana e Kosovës ka njoftuar se pas raportimeve ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe kontrollin e siç thuhet, një personi të dyshuar me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi të Doganës atij i janë zbuluar dy orë në vlerë prej mbi 1.3 milionë euro.

“Si rezultat i këtij kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Vlera totale e këtyre orëve është 1.340.027,50 € (një milion e treqind e dyzet mijë e njëzeteshtatë euro e pesëdhjetë cent)”, thuhet në njoftim. 

Sipas Doganës shmangia doganore ishte mbi 5 mijë euro, prandaj është njoftuar edhe Prokuroria. 

“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit më 17 shtator 2025 (sot), i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët thuhet se mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.

Edhe reperi e ka konfirmuar se ka dhënë deklaratë për këtë çështje. 

“Sapo dhashë deklaratë, në prezencë të avokatit tim Arianit Koci, lidhur me çështjen e mbrëmjes së kaluar për orën e dorës Richard Mille në Aeroportin e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.