Showbiz

Modelja e famshme mohon se Johnny Depp e ka hedhur nga shkallët

Modelja e famshme mohon se Johnny Depp e ka hedhur nga shkallët

Kate Moss ka dëshmuar për tre minuta të mërkurën në gjyqin Johnny Depp-Amber Heard në SHBA, duke dhënë përgjigje për thashethemet se Deppi e kishte shtyrë atë nga shkallët kur ishin në lidhje dashurie në vitet ‘90.

Modelja 48-vjeçare i tha gjykatës se ajo dhe Deppi ishin në lidhje dashurie nga viti 1994 deri më 1998, shkroi “The Guardian” të mërkurën.

Avokati Benjamin Chew pyeti nëse kishte ndodhur diçka kur ata ishin në pushim në Xhamajka.

“Ne po largoheshim nga dhoma, Johnny doli para meje. Kur po dilja nga dhoma, rrëshqita nga shkallët dhe e lëndova shpinën”, tha ajo.

“Bërtita sepse nuk e dija çfarë kishte ndodhur me mua dhe isha në dhimbje. Ai erdhi me vrap për të më ndihmuar dhe më mbajti në krah deri te dhoma dhe më siguroi ndihmën mjekësore”, tha ajo.

E pyetur nëse në një pikë të lidhjes së tyre, ai e kishte shtyrë atë, Moss tha “jo”.

“Ai nuk më shtyu, nuk më goditi apo nuk më gjuajti nga shkallët, jo”, tha Moss.

Depp e ka paditur Heardin, duke i kërkuar 50 milionë dollarë, si kompensim për shpifje për shkak të një artikulli që e ka shkruar ajo më 2018, duke e përshkruar veten “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.