Aktorja e njohur britanike, Millie Bobby Brown, po i kritikon ashpër mediat për qasje seksiste ndaj saj.
Ylli i serialit “Stranger Things” u shfaq në një podcast gjatë kësaj jave, ku edhe foli hapur për atë se si mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë trajtuar gjatë gjithë karrierës.
Brown ishte vetëm 12-vjeçare kur seriali hit, “Stranger Things”, debutoi në televizion. Aktorja i mbushi 18 vjet në shkurt të këtij viti, dhe tani thotë se e ka vënë re ndryshimin se si mediat po e kanë një qasje më seksiste ndaj saj, raportoi të mërkurën portali “Variety”.
“Çdo person i moshës 18-vjeçare ballafaqohet me vështirësitë e balancimit të jetës si i rritur, mundohet të krijojë lidhje dhe miqësi, ta gjejë veten, të pëlqehet nga të tjerët si dhe përpiqet të përshtatet me ambientin. Kjo nuk është e lehët për t’u bërë. Ndryshimi i vetëm mes tyre dhe meje, natyrisht është fakti se unë po e bëjë këtë gjë në syrin e publikut. Prandaj, mund të jetë një eksperiencë vërtet dërrmuese”.
Tutje, aktorja tha se e ka vënë re që situata është komplikuar edhe më shumë tani që i ka mbushur 18 vjet.
“Definitivisht po shoh ndryshim të madh në mënyrën se si njerëzit sillet me mua, dhe se si mediat dhe rrjetet sociale kanë reaguar ndaj moshës sime. Unë mendoj se gjërat nuk është dashur të ndryshojnë, por kjo gjë është e vërtetë dhe më duket diçka e shpifur. Është një përfaqësim shumë i mirë i asaj që po ndodh në botë, dhe faktit se si mediat dhe njerëzit në rrjete sociale kanë vazhdimisht qasje seksiste ndaj vajzave të reja”.
Millie Bobby Broën pritet ta përsëris rolin e Eleven në sezonin e katërt të serialit “Stranger Things”, i cili lansohet në Netflix më 27 maj. Aktorja po ashtu luan në vazhdimin e ardhshëm të filmit, “Enola Holmes”, i cili po ashtu lansohet në platformën e famshme digjitale në fund të vitit.