Performimi është pjesë e pandashme e Mick Jaggerit, por ka kaluar ca kohë prej se këngëtari e ka lënë anash imazhin e rokerit të “Rolling Stones”, për tu shndërruar në aktorë filmash.
Roli i fundit filmik i Jaggerit është në trillerin me buxhet të ulët, “The Burnt Orange Heresy”, ku muzikanti 76-vjeçar e portretizon koleksionuesin e pasur të veprave të artit, Joseph Cassidy, i cili i kërkon një kritiku të artit ta vjedhë një pikturë për të.
Në këtë projekt, rokeri i famshëm luan krahas aktorit Donald Sutherland, derisa filmi fillon së shfaquri nga sonte në New York dhe Los Angeles, transmeton Koha.net.
Megjithëse shfaqet vetëm në dy skena, ky është roli më i madh filmik i Jaggerit që nga viti 2001, kur e portretizoi një burrë nga Britania e Madhe i cili e udhëheq një kompani shoqëruesesh të profilit të lartë, në filmin “Elysian Fields”.
Por, pavarësisht se ende nuk ka debutuar me ndonjë rol më të madh, Mick Jagger thotë se jashtë muzikës, aktrimi i ka interesuar gjithmonë.
“Aktrimi është pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe sa herë më jepet mundësia ta ushtroj këtë profesion, e shijoj në maksimum,” citohet te ketë thënë rok këngëtari i famshëm.
Nga viti 1970 kur Jagger u paraqit në projektet kinematografike, “Performance” dhe “Ned Kelly”, shumica e roleve të tij kanë qenë dytësore në filma me buxhet të ulët.
Adhuruesit e bendit veteran “Rolling Stones”, do të duhet të presin pak më gjatë për lansimin e albumit të shumëpërfolur, i cili njëherësh do të jetë incizimi i parë i grupit që do të përfshijë muzikë të re, pas atij të vitit 2005 “A Bigger Bang”.