Showbiz

Michael Jordan e përkrahë lëvizjen “Black Lives Matter” me 100 milionë dollarë

Foto: Reuters

Legjenda e basketbollit në Amerikë, Michael Jordan, po i dhuron 100 milionë dollarë në mbështetje të lëvizjes “Black Lives Matter”.

Në një deklaratë të lëshuar nga menaxherja e tij, Estee Portnoy, u bë e ditur se legjenda e basketbollit dhe marka sportive “Jordan Brand”, do t'i dhurojnë 100 milionë dollarë përgjatë dhjetë vjetëve, në luftën kundër racizmit në Amerikë.

“Brendi ynë nuk i takon vetëm një njeriu. 'Jordan Brand' gjithmonë ka qenë simbol i familjes. Ne e përfaqësojmë një familje krenare e cila i ka tejkaluar të gjitha pengesat në jetë, ka luftuar kundër diskriminimit në të gjitha komunitetet anembanë botës, si dhe punon me përkushtim çdo ditë, për t'i shlyer njollat e racizmit dhe dëmet që i shkakton padrejtësia në shoqëri,” thuhej në komunitakën për media.

Sipas kësaj deklarate, të hollat do t'iu dhurohen organizatave të përkushtuara në luftimin e pabarazive racore dhe sigurimin e drejtësisë sociale në vend, transmeton Koha.

Ylli i basketbollit, Michael Jordan, është ndër të famshmit e shumtë të cilët e kanë shfaqur përkrahjen e tyre për lëvizjen, “Black Lives Matter”, duke dhuruar të holla si dhe duke marrë pjesë në protestat e organizuara anembanë globit.

Në mesin e tyre janë edhe yjet: Jay-Z, Drake, Kanye West, The Weeknd, Kehlani, Halsey, BTS, Angelina Jolie, J.J. Abrams, Ellen DeGeneres, Michael Bubble, Harry Styles, Chrissy Teigen, Blake Lively dhe Ryan Reynolds, Janelle Monae dhe të tjerë.