Michael Jackson është artisti i vdekur më i pasur në botë, sipas revistës prestigjioze amerikane “Forbes”.
Pasi ka fituar 60 milionë dollarë nga tetori i vitit 2018, mbreti i popit e kryeson listën për të shtatin vit radhazi. Pasuria e tij nga muzika u rrit në 2.1 miliardë dollarë, nga 1.8 që ishte vitin e kaluar. Duket se kjo shumë marramendëse parash është përftuar veçanërisht nga katalogu i këngëve të tij.
Në vend të dytë, si artisti i vdekur më i pasur në botë, renditet Elvis Presley. Emri i tij ka fituar gjatë vitit të kaluar 39 milionë dollarë; jo vetëm nga muzika, por edhe nga të ardhurat e mbledhura nga mijëra turistë që vizitojnë shtëpinë e tij në Memfis, Tenesi.
Ndërsa në vend të tretë renditet krijuesi i librit me vizatime “Peanuts”, Charles Schultz. Lista vazhdon më tej me emra si Arnold Palmer, Bob Marley, John Lennon, Marilyn Monroe, Prince dhe Nipsey Hussle.