Pas paraqitjes së saj në revistën “Vogue” javën e kaluar, këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka “pushtuar” kësaj radhe edhe ballinën e “Rolling Stones”.
Me një stil dhe veshje sensuale, Dua ka mahnitur adhuruesit e saj jo vetëm me foto-sesionin për revistën.
Në këtë numër të gazetës, theksi vihet pikësëpari në gjashtë nominimet e saj për “Grammy Awards” dhe albumin e fundit, i cili e ka bërë Lipën këngëtaren më të dëgjuar në “Spotify” dhe të tretën më të transmetuar në planet.
Sikurse në çdo paraqitje të saj, kur me krenari flet për prejardhjen dhe vendlindjen e saj, Lipa edhe kësaj radhe ka shpjeguar për “Rolling Stones” historinë e tatuazhit të saj “SunnyHill”, duke iu referuar lagjes “Kodra e Diellit” në Prishtinë.
“Kjo këtu thotë ‘Sunnyhill’ dhe është lagjja ku prindërit e mi janë rritur në Kosovë. Është përkthim në gjuhën angleze, që në shqip i bie ‘Kodra e Diellit’. ‘Sunnyhill’ gjithmonë më kujton shtëpinë dhe është emri i fondacionit dhe i festivalit tonë që realizohet në Prishtinë”, ka thënë Lipa.
Këngëtarja në këtë intervistë ka folur edhe për të parët e saj, duke treguar se gjyshi nga ana e babait ka qenë historian.
“Kur Kosova u okupua, forcat serbe i kanë kërkuar atij që të shkruante historinë. Ai refuzoi dhe për këtë arsye e humbi edhe punën”, ka shpjeguar ajo ndër të tjera për “Rolling Stones”.