Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Më në fund publikohen pamjet e para të serisë televizive “Snowpiercer”

TBS-ja më në fund në Comic-Con e ka prezantuar trialerin e parë për serinë e shumëpritur “Snowpiercer”.

Bëhet fjalë për përshtatjen televizive sipas filmit me po të njëjtin titull të Joon-ho Bong dhe stripit francez ngjarja e të cilit është vendosur në trenin e shpejtë i cili udhëton nëpër shkretëtirën e ngrirë pas apokalipsit. Siç ishte rasti me filmin, edhe seria do ta tregojë kontrastin midis klasës më të lartë dhe punëtorëve të zakonshëm të cilët kurrë nuk kanë jetuar jashtë errësirës.

Në triler mund t’i shihni yjet kryesore, Jennifer Connelly dhe Daveed Diggs, si dhe pjesë të ndryshme të trenit. Connelly është Melanie Cavill, menaxhere e akomodimit në tren e cila u jep informacione udhëtarëve/banorëve, por mund edhe të urdhërojë të tjerët kur është e nevojshme. Diggs ndodhet në anën tjetër si Andre Layton, i cili vlerësohet shumë në mesin e punëtorëve – ndërkohë që duket se rebelimi vjen më shpejt sesa mendohej, shkruan KOHA Ditore.

Në rolet e tjera shfaqen Mickey Sumner, Susan Park, Benjamin Haigh, Sasha Frolova, Katie McGuinness, Alison Wright, Annalise Basso, Sam Otto, Roberto Urbina, Sheila Vand dhe Lena Hall.

Image

Nëse ju duket se këtë seri jeni duke e pritur për vite me radhë, keni shumë të drejtë, sepse kanë kaluar katër vjet që kur kishte filluar të punohet në seri. Skenari për pilotin u shkrua së pari nga Josh Friedman, i cili u shkarkua nga seria për shkak të dallimeve kreative, dhe për këtë arsye projektin e braktisi Scott Derrickson. Skenari tani është shkruar nga Graeme Manson, ndërsa regjinë e bën James Hawes.

Serinë Snowpiercer e presim në ekranet e vogla në pranverën e vitit 2020, ndërsa TBS tashmë e ka siguruar sezonin e dytë.