Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Mbretërit pa kurorë, “Queen” tani më i pasur se mbretëresha

Bendi “Queen” tani është më i pasur se mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, sipas listës së të pasurve nga Sunday Times. Edicioni i vitit 2019, i cili do të publikohet në fundjavën e ardhshme, thekson se bendi e ka rritur pasurinë në 445 milionë funte (584 milionë dollarë), ndërsa mbretëresha Elizabeth II ka mbetur me shumën e saj të mëparshme prej 375 milionë funtesh (492 milionë dollarë).

Ndërkohë që ndryshimi i statusit ishte pjesërisht për shkak të ndryshimit të rregullave të Rich List, ku u larguan disa nga pasuritë e Queens nga statistikat, suksesi i biopikut të Freddie Mercury Bohemian Rhapsody u përshkrua si një kontribuues i madh në të ardhurat e Brian May, Roger Taylor dhe John Deacon.

"Derisa rokerët e vjetër vazhdojnë të fitojnë mirë - secili duke i shtuar rreth 25 milionë funte (30 milionë dollarë) në pasurinë e tyre këtë vit - e njëjta gjë nuk mund të thuhet për monarken 93-vjeçare", raportoi “Sunday Times”. "Mbretëresha e kryesonte listën për pesë vjetët e parë nga viti 1989 deri në vitin 1994, por kriteret strikte të Rich List tani e përjashtojnë pasurinë mbretërore dhe koleksionin e artit mbretëror nga pasuritë e saj, me arsyetimin se ajo nuk ka kontroll mbi to, shkruan KOHA Ditore.

"Pasuria e May është 160 milionë funte (188 milionë dollarë) në listën e sivjetme, nga 135 milionë funte (159 milionë dollarë) sa ishte në vitin 2018. Pasuria e Taylor rritet nga 130 milionë funte (152 milionë dollarë) në 155 milionë funte (181 milionë dollarë). Deacon, 67 vjeç, i cili e shkroi hitin "Another One Bites the Dust", konsiderohet të jetë ‘partneri i heshtur’ i Queen... Pasuria e tij është 130 milionë funte (152 milionë dollarë), mjaftueshëm që të kthehet në Rich List për herë të parë që nga viti 2006."

Bohemian Rhapsody, i cili i fitoi katër çmime “Oscar” këtë vit raportohet se i ka inkasuar 902.6 milionë dollarë në biletaritë në nivel global që nga shfaqja në nëntor të vitit 2018. Muajin e kaluar u raportua se testamenti i Mercuryt përcakton se pjesa e tij e fitimeve nga filmi do të ndahet midis të dashurve të tij.