Dhjetë vjet pas ndarjes dramatike të bendit, ish-këngëtari i “Oasis”, Liam Gallagher (46), thotë se marrëdhënia e tij me vëllanë e tij, kitaristin Noel Gallagher, është më e keqe se kurrë më parë.
“Kjo me Noel, është me siguri më së keqi tani”, - tha Liam për agjensinë DPA në Berlin. shkruan KOHA Ditore. Vëllai i tij i madh Noel, 52 vjeç, me të cilin DPA bisedoi në Londër, nuk donte të përgjigjej fare në lidhje me pyetjet për vëllanë e tij më të ri.
Bendi u nda kur Noel vendosi se më nuk mund të punonte me Liamin. Të dy vëllezërit shpesh grindeshin gjatë 18-viteve të ekzistimit të Oasis, por vëllai më i madh i dha fund të gjithave më 28 gusht 2009, vetëm disa minuta para daljes së planifikuar në skenë në Paris.
Meqë Noel është autori i hiteve më të mëdha të bendit, si “Don’t Look Back In Anger”, “Wonderwall”, “Supersonic”, ose “Stop Crying Your Heart Out”, kjo e nënkuptoi edhe fundin e “Oasis”.
Asnjëri nga vëllezërit nuk ka pasur ndonjëherë problem me vetëbesimin, që mund të jetë arsyeja se pse të dy egot e mëdha janë përleshur vazhdimisht.
“Unë thjesht kam lejuar që madhështia të më pushtojë”, – e përshkruajti Noel veten e tij.
“Ne ishim bendi më i rëndësishëm i viteve të nëntëdhjeta. Më të rëndësishëm se Verve, se Blur, më të rëndësishëm se Radiohead, më të rëndësishëm se Suede and Pulp”, - thotë Liam.
Atë e pengon fakti që Oasis nuk është bërë kurrë një fenomen global. Bendi i ka shitur 70 milionë albume në të gjithë botën. Të shtatë studio albumet e tyre janë bërë numër një në Britani. Por asnjëri në Amerikë.