Maluma është i gatshëm të mbajë koncertin më të madh ndonjëherë nga ai, në stadiumin Atanasio Girardot Soccer, në shtetin e tij, Kolumbi.
Biletat për koncertin e së shtunës, të titulluar “Medallo en el Mapa”, kanë nisur të shiten tashmë. Menaxhmenti i tij ka konfirmuar se 54.000 njerëz do ta përcjellin yllin latin, derisa ai përmbush ëndrrën e tij më të madhe, shkruan Associated Press të mërkurën, transmeton Koha.net.
“Jam shumë i entuziazmuar sepse gjithmonë e kam ëndërruar këtë, që kur e kam nisur karrierën”, ka thënë Maluma në një intervistë për AP-në. “Kjo më mbush me adrenalinë, më mbush me nerva, sepse të jesh aty lart dhe të shohësh familjen, njerëzit me të cilët je rritur, njerëzit e mi, mendoj se është ëndrra e secilit artist që të performoj në vendin e tij”.
Në stadiumin me kapacitet maksimal prej rreth 54.000 personave, tashmë janë mbajtur edhe dy koncerte të mëdha të këngëtarëve latinë: J Baldwin dhe Karol G.
Mirëpo Maluma thekson se koncerti i tij do të jetë më i madhi i mbajtur ndonjëherë në stadium, falë konceptit të tij 360 gradë, me skenën në mes të fushës dhe me audiencën e cila qëndron jo vetëm në tribuna, por edhe në fushë përreth skenës.
Ai ka planifikuar edhe mysafirë “të kalibrit më të lartë”, artistë të ëndrrave të tij, mirëpo nuk ka preferuar t’i zbulojë emrat.
Edhe
Maluma dhe Madonna ribashkohen në skenë
Për këngëtarin, organizimi i një shfaqjeje si "Medallo en el Mapa" është një mënyrë për të pakësuar stereotipet e trafikut të drogës në qytetin e tij.
“Gjërat kanë ndryshuar shumë që kur kam filluar karrierën time, sepse sa herë që shkoja jashtë vendit, njerëzit gjithmonë flisnin shumë negativisht kur flisnin për Medellín: ata flisnin për trafikun e drogës, dhunën, ata thoshin se Kolumbia ishte një vend që nuk mund të bësh vizitë, një vend i rrezikshëm”, tha ai, duke theksuar se ndër vite shumë bashkëqytetarë janë spikatur jo vetëm në muzikë, por edhe në sport e biznes.
Ai gjithashtu përmbushi një tjetër ëndërr të hënën pasdite, kur mori pjesë në zbulimin special të figurës së tij prej dylli nga Madame Tussauds Orlando në Muzeun e Artit Modern në Medellín.