Aktorja indiane, Priyanka Chopra Jonas, beson se bota është gati të dashurohet në filmin e saj të ri romantik, “Love Again”. Ajo e sheh këtë projekt si një ilaç të përsosur për një botë që po rimëkëmbet pas pandemisë.
“Unë i adhuroj komeditë romantike të viteve ’90 si, ‘Sleepless in Seattle’, ‘Love, Actually’ apo ‘Jerry Maguire’. Mendoj se tani nuk kemi shumë filma të tillë. Dhe bota është kaq e shkëputur. Sapo kemi dalë nga një pandemi dhe ka shumë nevojë për shërim. Prandaj, të kesh një film si ky që flet për shanset e dyta, për rigjetjen e dashurisë, për tejkalimin e pikëllimit, që është diçka me të cilën mund të lidhemi të gjithë, mendoj se është thjesht e bukur. Në fund, përfshije edhe Celine Dionin dhe muzikën e saj në film dhe gjithçka kompletohet në mënyrë të përkryer. Thjeshtë mendoj se do të jetë një film shumë shpresëdhënëse dhe njerëzit do ta shijojnë atë”, deklaroi aktorja në premierën e filmit në New York.
Shumë filma romantik i kanë bërë ballë kohës dhe ish-miss bota, Priyanka Chopra, shpreson që “Love Again” do të jetë një prej tyre.
“Shpresoj! Dua të them, nuk është se kam menduar për këtë gjë. Thjeshtë puna ime është pjesë shumë e vogël e realizimit të një filmi. Unë jam vetëm një prej qindra njerëzve të angazhuar në një projekt të tillë, prandaj thjeshtë mundohem ta bëjë punën time sa më mirë. Pastaj, çdo film e ka rrugëtimin dhe fatin e tij, dhe unë shpresoj që ky ta ketë një fat të mirë”.
Aktori Sam Heughan tha se pavarësisht faktit që filmi është xhiruar në kohë pandemie, kur masat e sigurisë për COVID-19 ishin ende në funksion, ai arriti ta krijojë një lidhje të veçantë dhe të afërt me kolegen e tij, Chopra-Jonas.
Edhe
Meryl Streep e gatshme ta luaj Miranda Priestlyn në “The Devil Wears Prada 3”
“Kemi xhiruar gjatë pandemisë, gjë që ishte mjaft e vështirë. Ne ishim të ngujuar dhe detyroheshim t’i përmbaheshim rregullave shumë strikte të sigurisë. Por, jemi munduar të kalojmë mjaftueshëm kohë duke punuar së bashku, dhe mendoj se thjeshtë e ndajmë të njëjtin sens të humorit. Kalojmë shumë mirë dhe e adhurojmë njëri-tjetrin, prandaj do të thosha se kjo gjë na ka ndihmuar shumë”.
“Love Again” ka filluar shfaqjen nëpër kinematë e Amerikë nga 5 maji.