Showbiz

Lizzo kërkon të hidhet poshtë “padia qesharake” ndaj saj për ngacmim seksual

Ylli i popit, Lizzo, ka kërkuar nga një gjykatës të hedhë poshtë padinë e ngritur muajin e kaluar kundër saj nga tre ish-valltarët e saj.

Në padinë e ngritur nga Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez, fituesja e çmimit Grammy, akuzohet për ngacmim seksual dhe krijim të një mjedisi armiqësor pune.

Në padi thuhet se valltarët “u detyruan të durojnë sjellje denigruese seksuale” dhe se ishin “nën presion për të marrë pjesë në shfaqje shqetësuese seksuale”.

Akuzat janë mohuar nga ekipi ligjor i Lizzos në përgjigjen ndaj padisë së ish-valltarëve, shkruan Variety.

Një zëdhënës i ekipit ligjor të Lizzos ka thënë se ky është hapi i parë i një procesi ligjor në të cilin Lizzo dhe ekipi i saj do të demonstrojnë të kundërtën e asaj që thuhet në padinë e ngritur në gusht të vitit 2023.

Ai shtoi se të gjitha pretendimet për të kundërtën janë qesharake dhe ekipi i Lizzos pret me padurim ta dëshmojnë këtë një gjykatë.

Por avokatja Neama Rahmani, e cila përfaqëson paditësit ka thënë se përgjigja e Lizzos përbëhet thjesht nga kundërshtimet që nuk kanë të bëjnë fare me çështjen.

Lizzo dhe kompania e saj e prodhimit “Big Grrrl Big Touring”, së bashku me Shirlene Quigley, kapitene e ekipit të kërcimit të Lizzos, pretendohet se kanë ofenduar tre balerinët për peshën e tyre dhe i kanë bërë presion dizajneres së rrobave që të kontraktojë persona për shërbime seksuale në një klub në Amsterdam, gjatë kohës sa ishin në turne atje.

Davis dhe Williams janë pushuar nga puna kurse Rodriguez ka dhënë dorëheqje.

Lizzo më herët ka mohuar akuzat kundër saj duke thënë se ato janë të rreme.