Filmi i regjisorit Thomas Vinterberg, “Another Round”, do të ripërpunohet në versionin amerikan dhe rolin kryesorë në të do ta luajë aktori, Leonardo DiCaprio.
Ky projekt i cili në ceremoninë e fundit “Oscar” u nderua me çmim në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtarë”, në rolin protagonist e kishte aktorin Mads Mikkelsen. Ai e rrëfen historinë e një burri në moshë të mesme i cili eksperimenton me rritjet e nivelit të alkoolit në gjak, në baza ditore.
Kompania filmike e yllit hollywoodian Leonardo DiCaprio, “Appian Way” e ka fituar të drejtën e ripërpunimit të filmit në gjuhën angleze, dhe aktualisht aktori është duke bërë marrëveshje për të luajtur në të gjithashtu.
Ende nuk dihet kush do ta bëjë regjinë e këtij projekti apo kush do ta shkruaj skenarin e tij, por Vinterberg e ka konfirmuar se ai nuk do të jetë i përfshirë në ripërpunimin e filmit të tij.
Thomas Vinterberg e dha një fjalim prekës dhe emocional me të dalë në skenë për ta pranuar shpërblimin “Oscar”, duke ia dedikuar fitoren vajzës së tij Ida. Ajo ishte planifikuar ta portretizojë vajzën e personazhit të Mikkelsenit në film, por kishte vdekur në një aksident me veturë vetëm katër ditë pas fillimit të xhirimeve. Vinterberg ia dedikoi filmin dhe çmimin “Oscar”, vajzës së tij të ndjerë Ida e cila vdiq në moshën 19-vjeçare.
Filmi “Another Round” po ashtu e fitoi një shpërblim “BAFTA” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, si dhe Vinterbergut ia fitoi një nominim “Oscar” për regjinë më të mirë.
Filmi do të lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe, më 16 korrik të këtij viti.