Showbiz

Lenny Kravits tregon ngjarjen që thotë se ia ndryshoi mendimin për lidhjet romantike

Ylli i Hollywoodit, Lenny Kravits nuk ka dashur ta quajë “ngacmim seksual” një ngjarje që i ka ndodhur gjatë viteve të adoleshencës, raporton People.

Në një intervistë për “Esquire” që u publikua të mërkurën, këngëtari ka folur rreth albumit të ri që do ta lansojë pas një periudhe pesëvjeçare.

Ai ka zgjeruar temën që pati diskutuar më parë rreth një incidenti që i ka ndodhur kur ishte adoleshent. Për këtë ai pati thënë se i ka ndryshuar këndvështrimin kundrejt lidhjeve romantike.

“Ishte një eksperiencë dhe një mësim”, ka thënë ai kur filloi të flasë për aktin seksual të pa dëshiruar për të cilin ai kishte dhënë detaje në librin e tij memoar “Let Love Rule”.

Megjithëse pranoi se ka disa gjëra që ndoshta duhej t’i adresonte, ai gjithashtu ka thënë se ka mësuar nga kjo gjë dhe nuk ka mbetur i traumatizuar.

Fituesi i çmimit Grammy në libër shpjegon se ngjarja ka ndodhur pasi ishte lënë nën përkujdesjen e një miku të familjes, të cilin e angazhuan prindërit e tij të kujdesej, pasi shkuan në një udhëtim. Përderisa ai po qëndronte shtrirë në shtratin e tij, një grua që e kishte ftuar miku i familjes, i hyri në dhomë dhe u fut nën çarçafë me Lennyn pa lejen e tij.

Por ngjarja u përshkrua shkurtimisht nga ai, dhe Kravitz nuk preferon ta quajë veten viktimë të këtij rasti dhe nuk dëshiron ta quajë ngjarjen “ngacmim seksual”.

Njëherë ai pati pranuar se kjo gjë kishte një ndikim të gjatë tek ai.

“Nuk isha i interesuar t’i detyroja gratë të jenë me mua apo t’i shtrëngoja ato. Dikush më ka detyruar mua dhe nuk më pëlqente”, ka shkruar Kravitz në libër.

59-vjeçari ishte i martuar me yllin Lisa Bonet në vitin 1987, martesë prej të cilës e kanë vajzën Zoë Kravitz. Çifti u divorcuan në vitin 1993.

Ndërkohë shumë emra të njohur grash, yje të Hollywoodit, kanë raportuar për ngacmimet seksuale që u janë bërë nga një numër i madh meshkujsh të famshëm.