Showbiz

Lauryn Hill performoi në stadium pothuajse bosh deri në 3:37 të mëngjesit në festivalin “Essence”

Lauryn Hill

Lauryn Hill

Foto: Associated Press

Këngëtarja legjendare, Lauryn Hill, fituese e tetë çmimeve “Grammy”, u ngjit në skenë shumë orë me vonesë në “Essence Festival of Culture 2025”, duke kënduar për një publik të vogël, ka raportuar People.

Ajo ka performuar në Caesars Superdome në New Orleans, një stadium që ka kapacitet të akomodojë 83 mijë veta, por në orën kur filloi koncerti, 2:30 të mëngjesit të së shtunës, 5 korrik, në stadium ndodheshin vetëm disa qindra persona, sipas Nola.com dhe Stereogum.

Fillimisht, koncerti i Hill ishte planifikuar për të premten mbrëma, por programi i ngjeshur i festivalit u vonua që në fillim, me disa artistë që përfundonin performimin mbi një orë më vonë nga koha e parashikuar.

Hill, 50 vjeçe, e cila njihet për daljet me vonesë në skenë, e mori situatën me sportivitet. Nola.com ka raportuar se ajo ka biseduar me publikun dhe madje ka pranuar edhe një kërkesë për këngë. Në skenë u ngjitën edhe djemtë e saj, Zion Marley (27vjeç) dhe Joshua “YG” Marley (23 vjeç).

Pamjet nga stadiumi thuajse bosh nisën të shpërndaheshin në rrjetin social TikTok më 5 korrik. Shumë adhurues e mbrojtën këngëtaren e hitit “Doo-Wop (That Thing)”, duke thënë se ajo nuk kishte faj për vonesën.

Stereogum ka raportuar gjithashtu se performanca e Hillit ishte shtuar në një program tashmë shumë të ngjeshur, gjë që ndikoi në orarin e nisjes së performancës.

Festivali Essence 2025 përfundon të dielën, më 6 korrik. Në program ishin edhe artistë si Jill Scott, Boyz II Men, Summer Walker dhe Jazmine Sullivan.