Showbiz

Lamtumirë Chewbacca: Shuhet në moshën 74-vjeçare Peter Mayhew

Aktori britanik Peter Mayhew, i cili në pesë filma të serisë 'Star Wars' e ka luajtur Chewbaccan, ndihmësin e madh leshator të Han Solos, ka vdekur në moshën 74-vjeçare në shtëpinë e tij në veri të Texasit, njoftoi në Twitter familja e tij.

Mayhew, fytyra e të cilit nuk është parë në asnjërin prej filmave nga franshiza 'Star Wars', sepse i tërë trupi i tij ishte gjithmonë i veshur në kostumin e Wookiee, ka vdekur të martën në shtëpinë e tij, njoftoi familja e tij, por nuk e përmendi shkakun e vdekjes, shkruan KOHA Ditore.

Aktori i gjatë dhe i dobët për herë të parë luajti si Chewbacca i famshëm në filmin "Star Wars – A New Hope" në vitin 1977, ndërsa ka luajtur edhe në katër filma në serinë blockbuster - "Empire Strikes Back", "Return of the Jedi", "Revenge of the Sith" dhe “The Force Awakens”.

Ai gjithashtu ka punuar si konsulent në filmin e fundit të serisë në vitin 2017, “The Last Jedi”, duke ndihmuar në trajnimin e pasardhësit të tij në rolin e Chewbacca, aktorin finlandez Joonas Suotamo.