Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kryeministri australian kërkon falje për komentet ndaj Kylie Minogue

Anthony Albanese dhe Kylie Minogue

Anthony Albanese dhe Kylie Minogue

Foto: Associated Press

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka kërkuar falje pasi u kritikua për komentet që bëri për këngëtaren Kylie Minogue gjatë një interviste në një podcast, ka shkruar BBC.

Gjatë paraqitjes në podcastin “Bush Deep”, moderatorja Nikki Osborne e pyeti se cilën do të zgjidhte mes Kylie Minogue, Nicole Kidman dhe Rhonda Burchmore për lojën provokuese “me kë do të dilje, me kë do të martoheshe dhe me kë do të kishe një lidhje intime”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fillimisht, Albanese u përpoq ta shmangte pyetjen.

“Sapo jam martuar, kanë kaluar vetëm gjashtë muaj”, ka thënë ai.

Por, pasi moderatorja këmbënguli, ai u përgjigj: “Ah, Kylie, pa dyshim”.

Kur Osborne vazhdoi duke pyetur nëse do të martohej, do të dilte apo do të kishte marrëdhënie intime me Kylie Minogue, kryeministri u përgjigj duke thënë se me të do t’i bënte të gjitha.

“Të gjitha këto. Ajo është e mrekullueshme”, ka thënë Albanese.

Komentet shkaktuan reagime të shumta në Australi.

Deputetja e pavarur Zali Steggall i cilësoi ato “krejtësisht të papërshtatshme”, duke shtuar se kryeministri “duhet të kishte refuzuar një pyetje të tillë, të jepte shembull dhe ta dënonte si pyetje seksiste”.

Ndërsa ministrja për Komunikimet, Sarah Henderson, ka thënë se komentet ishin “mungesë respekti ndaj grave, të turpshme për australianët dhe që cenojnë dinjitetin e postit të kryeministrit”.

Pas kritikave, Albanese publikoi një deklaratë të shkurtër.

“Kërkoj falje pa asnjë rezervë për komentet e mia”, thuhet në deklaratën e kryeministrit australian.

Intervista ishte incizuar në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Canberra dhe u publikua javën e kaluar.