Showbiz

Komedianët amerikanë në festivalin e Arabisë Saudite, kritikohen nga grupet e të drejtave të njeriut

Komedianët

Komedianët

Foto: Associated Press

Festivali i komedisë në Riad, ku performuan disa nga emrat më të njohur të komedisë amerikane si Kevin Hart, Dave Chappelle, Bill Burr dhe Pete Davidson, ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut.

"Riyadh Comedy Festival", i nisur më 26 shtator dhe që zgjat deri më 9 tetor, prezantohet si “festivali më i madh i komedisë në botë”. Ai është organizuar nga Autoriteti i Turizmit të Arabisë Saudite, në kuadër të përpjekjeve të vendit për të tërhequr vizitorë dhe për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar, ka shkruar CNN.

Por festivali u zhvillua në të njëjtën periudhë me 7-vjetorin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, vrasje që sipas një raporti të inteligjencës amerikane u urdhërua nga princi Mohammed bin Salman. Kjo koincidencë është parë si përpjekje për të mbuluar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në vend.

Komedianët që refuzuan pjesëmarrjen e kritikuan hapur. 

“Jam i neveritur dhe i zhgënjyer thellë nga kjo gjë e shëmtuar. Po performoni për regjimin më shtypës në botë”, ka shkruar David Criss.

Shane Gillis ka thënë se kishte refuzuar një ofertë “shumë të majme” për arsye parimore. Edhe komediania Atsuko Okatsuka ndau një “screenshot” të kontratës që kishte marrë, ku ndalohej të bëheshin shaka për Arabinë Saudite, fenë ose familjen mbretërore.

Ndërkohë, disa komedianë që pranuan të marrin pjesë janë përpjekur të mbrojnë vendimin e tyre.

“Në Amerikë, po të flasësh për Charlie Kirk të anulojnë. Këtu është më e lehtë të flasësh sesa në Amerikë”, ka thënë Dave Chappelle.

Bill Burr pas performancës në Riad tha në podcast-in e tij se mendonte që do të ishte ndryshe.

“Mendoja se të gjithë do të bërtisnin ‘Vdekje Amerikës’ e do të donin të më prisnin kokën. Por jo, ata thjesht donin të qeshnin”, ka thënë Burr.

Pete Davidson, i cili humbi babanë në sulmet e 11 Shtatorit, u shpreh hapur për arsyet financiare.

“Unë thjesht shoh shifrat e pagesës dhe them: ‘Do të shkoj’”, ka thënë ai.

Ndërsa Jim Jefferies tha në një intervistë se “Një gazetar u vra nga qeveria saudite, e tmerrshme, por jo një betejë për të cilën do të vdes”.

Por aktivistët e të drejtave të njeriut e shohin ndryshe.

Sarah Leah Whitson, drejtoreshë e organizatës "Democracy for the Arab World Now " (themeluar nga Khashoggi), tha për CNN se sauditët mbeten diktatorë.

“Sauditët mbeten një diktaturë absolute. Kritikët e qeverisë ose të familjes mbretërore kalben me dekada në burg, ndërsa disa komedianë shkojnë atje për të bërë humor dhe për të heshtur në këmbim të parave”, ka thënë Whitson.

Ajo ka shtuar se edhe pse Khashoggi do të ishte i lumtur që populli saudit ka mundësi të qeshë, ai do të “urrente që këta komedianë të merrnin pjesë në një festival të tillë duke pranuar të mbyllnin gojën për para”.

Edhe "Human Rights Watch" paralajmëroi se festivali përdoret si propagandë.

“Arabia Saudite po përdor komedinë për të tërhequr vëmendjen nga represioni brutal dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, thuhet ne deklaratën e tyre.

Në fakt, vetëm tre muaj më parë, gazetari saudit Turki al-Jasser u ekzekutua për shkak të postimeve kritike në rrjetet sociale.

CNN shkruan se kritikët thonë se ky festival është një tjetër mjet i fushatës së Arabisë Saudite, e cila ka investuar miliarda në sport, media dhe showbiz për të krijuar imazhin e një vendi modern dhe liberal, ndërsa realiteti mbetet shumë ndryshe.