Showbiz

Kit Harington në bisedime për debutim në Broadway

Ylli i “Game Of Thrones”, Kit Harington, thuhet se është në bisedime për ta bërë debutimin e tij në Broadway krahas Anne Hathaway.

Sipas gazetës së Britanisë, “Daily Mail”, aktori britanik do të interpretojë në shfaqjen e dytë, nga dy shfaqjet sa janë gjithsej, si pjesë e një produksioni të titulluar “Double Feature”.

Shfaqja e parë raportohet të jetë në lidhje me marrëdhëniet jashtëzakonisht toksike midis aktores Tippi Hedren dhe regjisorit të ndjerë Alfred Hitchcock, ndërsa Hathaway është në bisedime për ta luajtur Hedren, shkruan KOHA Ditore. Në pjesën e dytë të shfaqjes së dyfishtë do të paraqitet Harington si një djalosh i ri që e idolizon yllin e filmave horror Vincent Price, para se të mësonte se idoli i tij nuk është njeriu që ai mendonte se ishte.

Dy shfaqjet janë shkruar nga John Logan, skenaristi që ka punuar në dy filmat e fundit të James Bond, “Skyfall” dhe “Spectre”. Shfaqja do të bëhet me regji të Jonathan Kent dhe me produksion nga Marc Platt i “La La Land”.

Kolegu i Kit nga “Game of Thrones”, Conleth Hill, thuhet se do ta luajë Hitchcockun përballë Hathaway në produksion, i cili do të debutojë vitin e ardhshëm (21).