Starleta më e famshme në botë, 38-vjeçarja Kim Kardashian, po punon zellshëm në dokumentarin për sistemin juridik në Amerikë, gjë që edhe ishte arsyeja se pse e vizitoi burgun në Washington për t’i parë të burgosurit të cilët po arsimohen brenda.
Siç pritej, Kim nuk e humbi as këtë mundësi për të bërë selfie, dhe në Instagram ajo u krenua me disa foto.
“Kam takuar njerëz shumë të mrekullueshëm, të cilët mezi presin t’i ndajnë me ju historitë e tyre. E xhiruam dokumentarin, shpresoj që do të mësoni diçka për sistemin juridik siç mësova edhe unë”, - shkroi ajo në përshkrimin e postimit i cili bëri bujë në rrjetin social.
Fotografitë u pëlqyen nga më shumë se një milion njerëz, ndërsa postimi u vërshua me një "grumbull" komentesh nga përcjellës të shumtë, shkruan KOHA Ditore.
'Bravo për ty, mezi po pres ta shikoj dokumentarin', 'Ky është qëllimi yt i jetës', 'Tani vërtetë po e ndryshon botën', janë disa nga komentet e fansave entuziastë.
Përndryshe, Kim po planifikon ta kalojë provimin e jurisprudencës për ta filluar karrierën e saj të avokates. Starleta më së shumti është e interesuar për të drejtat e njeriut.