Showbiz

Kënga e re e Rita Orës

Rita Ora

Rita Ora

Foto: Associated Press

Shqiptarja me famë botërorë, Rita Ora, ka publikuar këngën e saj të re.

“Joy”, quhet kënga, të cilën ylli e ka ndarë në Instastory, të llogarisë së saj në rrjetin social Instagram.

“Joy, OUT NOW”, ka shkruar ajo.

Kënga më e re e shqiptares, do të dëgjohet në sezonin e dytë të reality-show-t të njohur në platformën Netflix, “Love Is Blind UK”.

VIDEO:

Sipas një burimi për rubrikën Bizarre të gazetës The Sun, ky lajm nuk është ndonjë sekret.

“Nuk është sekret që Rita e adhuron dashurinë, prandaj mezi priti ta incizojë një këngë për ‘Love Is Blind UK’”, ka thënë burimi.

Ani pse “Joy” nuk do të jetë pjesë e albumit të saj të ri, ajo e pranoi këtë projekt me shumë dëshirë.

“Është më shumë një mini-projekt anësor se sa pjesë e albumit të ri. Kënga do të përdoret në emision dhe do të jetë e qasshme për dëgjim online, por nuk ka plane për videoklip apo promovim në radio”, ka thënë tutje burimi.

Ndërkohë, Ora ka lansuar këngën “Heat” në muajin qershor, e cila sipas saj, përfaqëson drejtimin e ri të muzikës që dëshiron të sjellë

Ora së fundmi ka qenë mjaft e angazhuar me punë të ndryshme.

Përveç muzikës ajo po merret edhe me botën e filmit.

Mbrëmë, përmes po të njëjtit rrjet social ajo ka bërë të ditur se është producente ekzekutive e një filmi dokumentar që u shfaq në festivalin e njohur të filmit “DokuFest”.

“Palace of Youth”, quhet filmi i cili përqendrohet te të rinjtë kreativë të Kosovës është publikuar pas vitesh punë.

“Në momentin që Odessa, Maddie dhe ekipi ma prezantuan këtë projekt, menjëherë pranova të jem pjesë. Ishte një mundësi për të ndriçuar talentin e jashtëzakonshëm të të rinjve në Kosovë, vend ku mbi 55% e popullsisë është nën moshën 25-vjeçare”, ka shkruar artistja në Instagram.

Përmes muzikës, filmi sjell tregime personale të të rinjve, me gjithë sfidat, rrëfimet dhe sukseset e tyre. Në projekt marrin pjesë artistë si Suada Abazi, Edona Vatoci, Lekë Morina dhe Donat Vatoci.

Përveç Orës, producentë ekzekutivë janë edhe Shane Boris dhe Odessa Rae.

“Palace of Youth” është një bashkëprodhim mes Tragicomedia, Essence Film dhe Katarzë Films.