Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Keith Richards me imazh të ri, “Stones” kthehen në turne

Hiti legjendar "Paint It Black", një nga hitet më të mëdha në të gjithë karrierën e “Rolling Stones” të pathyeshëm, u modifikua nga po ashtu i pathyeshmi Keith Richards (75) në "Paint It Brown" dhe në kthimin e bendit në turne ai e tregoi imazhin e ri. Flokët e thinjur kaçurrelë me të cilët jemi mësuar ta shohim papritmas janë zhdukur.

Bendi u detyrua ta shtynte fillimin e turneut 'No filter' pak për shkak të gjendjes shëndetësore të Mick Jagger (75), të cilit mjeku i ka rekomanduar të pushojë pas një ndërhyrje mjekësore, por ata edhe një herë treguan se asgjë nuk mund t’i pengojë në synimin për ta vazhduar turneun dhe për ta jetuar jetën e yjeve të rock'n'rollit, shkruan KOHA Ditore.

“Kam jetuar në mënyrën time dhe jam këtu sot sepse jam përpjekur ta zbuloj se kush jam. Nëse njerëzit duan të jenë si Keith Richards, atëherë duhet t’i kenë të njëjtat predispozita fizike si unë”, - tha në një rast Richards për revistën muzikore Rolling Stone, ndërsa në lidhje me jetën e tij të dikurshme të mbushur me alkool dhe droga të rënda në përgjithësi dihet shumë.

Kitaristi i madh thuhet se gjatë viteve të fundit e ka ndryshuar në mënyrë drastike mënyrën e tij të jetesës, dhe vetëm herë pas here e pi ndonjë gotë verë, ndërsa miqtë e ngushtë tallen se në të shtatëdhjetat është bërë promovues i jetesës së shëndetshme.