Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Katy Perry me ekipin duhet t’i paguajnë 2.8 milionë dollarë për “Dark Horse”

Gjykatësi federal në Los Angeles ka vendosur që Katy Perry së bashku me ekipin e saj duhet ta paguajnë një dëmshpërblim prej 2.8 milionë dollarësh për plagjiaturën e këngës së vitit 2013 "Dark Horse".

Vendimi vjen tri ditë pasi që komisioni konstatoi se Perry, shtëpia e saj diskografike dhe bashkëpunëtorët e tjerë janë përgjegjës për shkeljen e së drejtës autoriale, shkruan KOHA Ditore. Më konkretisht, disa pjesë të këngës "Dark Horse" ngjajnë me "Joyful Noise", këngë kjo rap e krishterë e vitit 2008 nga artisti Flame, emri i vërtetë i të cilit është Marcus Grey.

Sipas aktvendimit, Perry duhet t’i paguajë 550.000 dollarë, ndërsa shtëpia e saj diskografike Capitol Records detyrohet t’i paguajë afro 1.3 milionë dollarë. Janë gjobitur edhe pesë bashkëpunëtorë të këngëtares së njohur të cilët morën pjesë në kompozimin e këngës, përfshirë producentin Max Martin, i cili gjobitet me 253.000 dollarë, dhe dr. Luke i cili duhet t’i paguajë 61.000 dollarë, ndërsa kompania e tij, Kasz Money Inc. duhet t’i paguajë 189.000 dollarë.

Gjykatësi vendosi gjithashtu që 22.5 për qind e fitimeve të realizuara nga kënga "Dark Horse" duke e mbajtur vendin e parë në listën Billboard Hot 100 duhet t'i takojnë këngës "Joyful Noise".

"Klienti ynë e ngriti këtë padi pesë vjet më parë duke kërkuar drejtësi dhe kompensim të drejtë për marrjen e paligjshme të krijimit të tij të vlefshëm. Ishte ky një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, por ai më në fund e fitoi drejtësinë", tha Michael A. Kahn, avokat i artistit Grey.

T’ju rikujtojmë, singli "Dark Horse" u publikua në vitin 2013, në studio- albumin e katërt të Katy Perry. Kjo këngë është shitur në mbi 13 milionë kopje dhe konsiderohet si një nga hitet më të mëdha të këngëtares amerikane.