Katy Perry dhe dr. Luke po përballen me një pagesë të madhe pasi e humbën rastin për të drejtat e autorit kundër yllit të muzikës së krishterë, Marcus Grey.
Një juri federale nëntanëtarëshe ka konkluduar se hiti i dyshes nga viti 2013 “Dark Horse” është marrë nga kënga rap e vitit 2009, Joyful Noise, të cilën Gray e bashkëkompozoi dhe e performoi si “Flame”.
Anëtarët e jurisë tani do të vendosin se sa i detyrohen të paditurit për shkelje të së drejtës së autorit pas vendimit të së hënës, shkruan KOHA Ditore.
Avokatët e Gray argumentuan se pothuajse gjysma e Dark Horse ishte në thelb e ngjashme me Joyful Noise të Gray, ndërsa avokatja e Perryt, Christine Lepera, në argumentin e saj përmbyllës tha: "Ata po përpiqen të zotërojnë blloqe themelore ndërtuese të muzikës, alfabetin e muzikës i cili duhet të jetë në dispozicion për të gjithë".
Klientja e saj nuk ishte e pranishme në fazën përfundimtare të gjykimit shtatëditor, por ajo dëshmoi javën e kaluar, duke insistuar se kurrë nuk e kishte dëgjuar më parë Joyful Noise para se ta dëgjonte melodinë që dr. Luke ia dërgoi asaj.