Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Katy Perry e humbi betejën ligjore kundër Katie Perryt

Këngëtarja Katy Perry e ka humbur betejën ligjore rreth patentës së emrit, kundër disenjatores australiane të modës të quajtur, Katie Perry.

Katie Taylor, e cila i shet veshjet nën emrin e vajzërisë, Katie Perry, e paditi yllin amerikan të muzikës pop, duke thënë se mallrat e saj po e dëmtonin markën tregtare që ajo zotëron.

Por, së fundmi, një gjykatëse vendosi në favor të palës paditëse, duke pohuar se veshjet të cilat Katy Perry i kishte shitur gjatë turneut australian në vitin 2014, në fakt e kanë dëmtuar markën e disenjatores.

“Kjo është historia e dy grave me ëndrra të mëdha për biznes, por të cilat e posedojnë të njëjtin emër”, deklaroi gjykatësja Brigitte Markovic në vendimin e saj.

Ajo po ashtu shtoi se ylli i hitit “Teenage Dream” e ka shfrytëzuar emrin e saj me të drejtë, prandaj nuk është e detyruar t’i paguajë ndonjë kompensim personal disenjatores.

Sidoqoftë, kompania e këngëtares, “Kitty Purry”, duhet të paguajë një shumë të caktuar për dëmin, e cila përcaktohet muajin e ardhshëm.

Gjykatësja Markovic, po ashtu hodhi poshtë kërkesën e yllit të popit për ta anuluar markën tregtare, “Katie Perry”.

Edhe Disenjatorja Katie Perry fiton betejën gjyqësore ndaj këngëtares Katy Perry Showbiz Disenjatorja Katie Perry fiton betejën gjyqësore ndaj këngëtares Katy Perry

Disenjatorja Perry e përshkroi rezultatin gjyqësor si një fitore të rëndësishme për të.

“Jo vetëm që kam luftuar për veten time, por kam luftuar për bizneset e vogla në këtë vend, shumë prej tyre të themeluara nga gra, të cilat mund ta gjejnë veten kundër kompanive ndërkombëtare që kanë shumë më tepër fuqi financiare se ne”, shkroi ajo në faqen e saj të internetit.

Disenjatorja e njohur australiane filloi të shes veshje nën brendin “Katie Perry” në vitin 2007, dhe një vit më vonë e regjistroi si markë tregtare në Australi.