Showbiz

Kaos në koncertin e Kanye West në Shanghai, pjesëmarrësit kërkojnë rimbursim

Kanye West

Kanye West

Foto: Associated Press

Koncerti i shumëpritur i reperit Kanye West në “Shanghai Stadium” që u mbajt të premten, u shoqërua me probleme teknike, reshje të mëdha shiu dhe mijëra fansa që brohorisnin duke kërkuar rimbursim, pasi reperi u ngjit në skenë me mbi 40 minuta vonesë, ka raportuar The Hollywood Reporter.

Sipas Global Times, një medium shtetëror kinez, koncerti ishte promovuar si “një përvojë gjithëpërfshirëse, me dizajn inovativ të skenës, lista të përditësuara këngësh dhe ekipe ndërkombëtare produksioni”. Po ashtu thuhej se do të ishte “udhëtim gjithëpërfshirës dhe që thyen zhanret muzikore përmes karrierës së Westit, duke kombinuar tingullin, dritën, pamjet vizuale dhe instalacionet”.

Pamje nga koncerti në Kinë

Por gjithçka filloi të prishej që në orët e para të mbrëmjes, kur reshjet e mëdha të shiut depërtuan përmes çatisë së hapur të stadiumit. Koncerti ishte paraparë të fillonte në orën 19:30, por West u shfaq në skenë vetëm rreth orës 20:10, i veshur me pantallona lëkure të zeza dhe një bluzë me kapuç ngjyrë hiri me mbishkrimin “China” në shpinë. Ai u ngjit vetëm në skenën e madhe gri, ndërsa mjegulla, projektimet dhe dritat krijuan një atmosferë të errët, e ngjashme me performancat e tij në kuadër të albumit “Donda”, por kësaj radhe me më pak elemente vizuale.

Çmimet e biletave ishin të larta për standardet kineze – nga 980 juanë (rreth 135 dollarë) deri në 2,680 juanë (rreth 375 dollarë), raportoi Global Times.

Video të shpërndara në rrjetet sociale kineze tregojnë momente ku West përpiqet të japë gjithçka në skenë, duke kërcyer në ritmin e këngëve të tij. Por në disa raste, ai dukej i rraskapitur. Në një moment, gjatë këngës së tij më të re “Losing Your Mind”, ai ndaloi së kënduari, u largua ngadalë nga skena dhe publiku mbeti i hutuar. Mediat vendore raportuan se cilësia e zërimit përgjatë gjithë koncertit ishte e paqëndrueshme dhe e dobët.

VIDEO:

Ndërkohë që koncerti ishte ende duke u zhvilluar, emri i Westit u bë trend në rrjetet sociale kineze, duke nxitur debate të shumta. Disa fansa e mbronin reperin, duke fajësuar motin për vonesat dhe problemet teknike, ndërsa të tjerë e cilësuan performancën si “përtace” apo “një përpjekje cinike për të përfituar nga tregu kinez, ndërkohë që reputacioni i tij është zbehur në Perëndim”.

The Hollywood reporter gjithashtu ka shkruar se West ka pasur vështirësi për të organizuar koncerte nëpër perëndim për shkak të polemikave të vazhdueshme. Në shtator të vitit 2024, ai mbajti një festë të vogël, fitimprurëse dhe shumë të komentuar në stadiumin “Wuyuanhe” në provincën Hainan. Koncerti në Shanghai ishte planifikuar në mbështetje të albumit të tij të ardhshëm “Bully”, dhe biletat u shitën brenda pak minutave.

Viti 2025 ka shënuar një përshkallëzim të provokimeve të Westit në industrinë e muzikës dhe kulturës pop. Në mars, ai publikoi një këngë që i atribuohej reperit Sean “Diddy” Combs, vetëm pak para se ai të përballej me gjyq federal për trafikim seksual. Më 13 qershor, West u shfaq shkurtimisht në gjyqin e Combs dhe në fund të muajit publikoi këngë me djalin Combsit, Christian “King”.