Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kanye West bëri bujë në shfaqjen e koleksionit të tij në Paris

Në hënën (3 tetor), Kanye West e shfaqi koleksionin e ri të veshjeve “Yeezy Season 9”, gjatë javës së modës në Paris. Reperi i shndërruar në disenjator u paraqit në këtë shou i veshur me një bluzë ku shkruhej, “White Lives Matter”, shkruan “Billboard”.

Sipas portalit “Page Six”, Ye, e dha një fjalim për të gjithë mysafirët e pranishëm, para se modelet të dilnin në sfilatë për ta prezantuar koleksionin e veshjeve. Ai foli për grabitjen që i kishte ndodhur ish-gruas, Kim Kardashian, pikërisht në Paris në vitin 2016, përpjekjet e tij për të depërtuar në industrinë e modës, prishjen e bashkëpunimit me kompaninë “Gap” dhe ish-menaxherin Scooter Braun dhe të tjerë.

“Unë jam Ye, dhe të gjithë këtu e dinë se jam lider. Askush nuk mund të më menaxhojë”, dëgjohet duke thënë reperi në videon e fjalimit të tij të postuar në rrjetet sociale.

Por, vendimi dhe arsyeja e Westit për ta veshur bluzën me mbishkrimin, “White Lives Matter”, aktualisht nuk dihet. Fraza raciste ka kohë që përdoret nga grupet neo-naziste dhe supremaciste si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes, “Black Lives Matter”. Prandaj edhe pati reagime në publik pas sfilatës, ku shumica e kritikuan reperin për veprimin e tij dhe e akuzuan se nuk i intereson për jetët afrikano-amerikanëve.

Gjatë karrierës së tij, Ye, ka pasur mendime të ndryshme për racizmin në Amerikë, të cilat shpesh e kanë vënë në qendër të vëmendjes së publikut, por edhe e kanë bërë shënjestër të kritikave të ashpra.

Image