Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ka vdekur në moshën 53 vjeçe ylli i “Gray’s Anatomy”, Eric Dane

Eric Dane

Eric Dane

Foto: Associated Press

Aktori amerikan Eric Dane, i njohur për rolin e doktorit Mark Sloan në serialin e famshëm “Grey’s Anatomy”, ka vdekur në moshën 53-vjeçare, pas një beteje me sëmundjen ALS (skleroza laterale amiotrofike).

Ylli i serialit “Grey’s Anatomy” u nda nga jeta të enjten më 19.02.2026, rreth 10 muaj pasi e kishte bërë publike diagnozën e tij me ALS, një sëmundje progresive neurodegjenerative që sulmon qelizat nervore dhe shkakton humbje të kontrollit të muskujve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Familja e tij konfirmoi lajmin për revistën People përmes një deklarate.

“Me zemra të thyera, ndajmë lajmin se Eric Dane vdiq të enjten pasdite, pas një beteje të guximshme me ALS. Ai i kaloi ditët e fundit i rrethuar nga miq të dashur, bashkëshorten e tij e përkushtuar dhe dy vajzat e tij të bukura, Billie dhe Georgia, të cilat ishin qendra e botës së tij. Gjatë rrugëtimit me ALS, Eric u bë një zë i fuqishëm për ndërgjegjësim dhe kërkime shkencore, i vendosur të bëjë ndryshim për të tjerët që përballen me të njëjtën betejë. Ai do të na mungojë thellësisht dhe do të kujtohet gjithmonë me dashuri. Eric i adhuronte fansat e tij dhe ishte përherë mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen që ka marrë. Familja kërkon privatësi në këtë kohë”, thuhet në deklaratë.

Dane ka lënë pas dy vajzat e tij, Billie, 15 vjeçe dhe Georgia, 14 vjeçe, si dhe bashkëshorten 54-vjeçare, aktoren Rebecca Gayheart.

Paraqitja e tij e fundit publike ishte në një panel virtual të organizuar nga I AM ALS në muajin dhjetor të vitit 2025.

Aktori, i njohur edhe për rolin në serialin “Euphoria”, ka folur hapur për përjetimin e sëmundjes, duke e cilësuar atë si “shumë të tmerrshme”.

Duke reflektuar mbi rolin e tij të parë pas diagnozës, në dramën “Brilliant Minds”, ku interpretoi një pacient me ALS që përpiqej t’i tregonte bashkëshortes për sëmundjen, ai pati thënë se s’ka arsye të jetë në humor të mirë.

“Nuk kam asnjë arsye të jem me humor të mirë, në asnjë moment, në asnjë ditë. Nuk besoj se dikush do të më fajësonte nëse do të ngjitesha lart në dhomën time, të futesha nën çarçafë dhe të kaloja dy javët e ardhshme duke qarë. Dhe u befasova disi këndshëm kur kuptova se nuk isha ndërtuar në atë mënyrë, sepse isha i sigurt se ashtu do të isha”, pati thënë ai.

Në atë kohë, ai pati humbur kontrollin e dorës dhe krahut të djathtë dhe më vonë lëvizte me karrocë me rrota.

Duke folur për shpresën që kishte për studiimet shkencore mbi ALS, Dane pati shtuar se dëshironte që njerëzit të informohen se çfarë sëmundje është ALS dhe se çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar situatën.

“Sigurohem që njerëzit ta dinë çfarë është ALS dhe çfarë përfaqëson, dhe më e rëndësishmja, çfarë mund të bëjmë për ta luftuar dhe për ta përmirësuar situatën, sepse rruga është e vështirë, plot pengesa dhe burokraci, dhe ne po përpiqemi t’i kalojmë të gjitha këto për të arritur në një pikë ku të fillojmë të punojmë për zgjidhjen”, pati thënë ai.

Në muajin janar, ai nuk arriti të marrë pjesë në gala-mbrëmjen “Champions for Cures and Care” të ALS Network për arsye shëndetësore.

“ALS Network është informuar se Eric Dane ka shpresuar të ishte me ne këtë mbrëmje për të pranuar çmimin ‘Advocate of the Year’, por për shkak të realitetit fizik të ALS, ai nuk ishte në gjendje të marrë pjesë”, ka thënë një zëdhënës për The Hollywood Reporter.

Ai ishte nderuar me këtë çmim për “sjelljen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj ALS” përmes “udhëheqjes dhe dhembshurisë” së tij.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, kur u njoftua për çmimin, ai pati deklaruar se ky çmim është më shumë se një nder.

“Është një pasqyrim i forcës dhe guximit të jashtëzakonshëm që shoh çdo ditë në komunitetin e ALS”, ka thënë ai.

Dane lindi më 9 nëntor 1972 në San Francisko. Babai i tij, William Melvin, fillimisht kishte shërbyer në marinë dhe më pas ishte bërë arkitekt dhe disenjator i hapësirave të brendshme. Ai vdiq nga një plagë me armë zjarri kur Dane ishte vetëm shtatë vjeç.

Hyrja e tij në aktrim ndodhi rastësisht, pasi interpretoi rolin e Joe Keller në shfaqjen shkollore të dramës “All My Sons” të regjisorit Arthur Miller.

Pas diplomimit, ai u zhvendos në Los Angeles dhe u shfaq në disa projekte televizive dhe filmike, përfshirë “Saved by the Bell”, “The Wonder Years”, “Charmed”, “Grey’s Anatomy” dhe “Marley & Me”.

Ai u martua me Rebecca Gayheart në vitin 2004 dhe së bashku mirëpritën dy vajzat e tyre në vitet 2010 dhe 2011.

Aktorja pati paraqitur kërkesë për divorc në vitin 2018, por e pat tërhequr atë në muajin mars të vitit 2025, duke theksuar se donte t’u mësonte fëmijëve të tyre të “qëndrojnë pranë familjes”.