Ylli i muzikës pop, Justin Bieber, po e vë shëndetin në prioritet.
Afërsisht tre muaj pasi këngëtari 28-vjeçar e ndau me fansat diagnozën me sindromën Ramsay Hunt, Bieber e bëri të ditur lajmin se po i anulon të gjitha koncertet e mbetura të turneut, “Justice World Tour”, për t’u fokusuar në shëndetin e tij.
“Në fillim të vitit tregova publikisht për betejën time me sindromën Ramsay Hunt, e cila më shkaktoi paralizë në njërën anë të fytyrës. Si rezultat i kësaj sëmundjeje, nuk para mundësi t’i përfundoj koncertet në Amerikën Veriore si pjesë e turneut tim botëror, ‘Justice’”, deklaroi këngëtari kanadez përmes një komunikate të postuar në Instagram.
Tutje, ylli i hitit “Yummy” tregoi se është konsultuar me mjekët e tij, ekipin menaxhues dhe familjen, për ta marrë vendimin e vazhdimit të turneut nëpër qytete të ndryshme të Evropës, koncerte këto që u realizuan gjatë muajit korrik. Sidoqoftë, Bieber tha se performimi në skenë ia ka dëmtuar rëndë shëndetin.
“Gjatë fundjavës së kaluar kam performuar në festivalin ‘Rock in Rio’ ku e dhashë maksimumin nga vetja për fansat në Brazil. Por, pas largimit nga skena, u pushtova ma lodhja e madhe dhe kështu e kuptova se më duhet ta vë shëndetin në prioritet. Prandaj, do të pauzoj nga turneu për ca kohë. Mos u brengosni, do të jem mirë, por më duhet vërtetë kohë që të pushoj dhe të shërohem. Faleminderit për lutjet dhe mbështetjen tuaj gjatë kësaj periudhe. Ju dua shumë”, përfundoi këngëtari.
Bieber fillimisht i shtyu disa data të turneut të tij në Amerikën e Veriut, pasi përjetoi paralizë të pjesshme të fytyrës nga sindroma Ramsay Hunt. Sipas klinikës “Mayo”, kjo paralizë e përkohshme ndodh kur një shpërthim i herpesit prek nervin e fytyrës, pranë njërit vesh të pacientit.