Jon Favreau, aktori, regjisori dhe një nga figurat më të shquara në Marvel Cinematic Universe, tregoi se çfarë mendonte për kritikat e bëra nga Martin Scorsese dhe Francis Ford Coppola për filmat Marvel.
Në një intervistë për CNBC, ai foli sinqerisht: "Të dy ata janë heronjtë e mi dhe mendoj se ata kanë të drejtë ta thonë mendimin e tyre. Unë nuk do ta bëja atë që e bëj sikur ata mos ta kishin “shtruar” rrugën. Ata janë një burim frymëzimi, qysh nga Swingers ku i kam referuar Martyt dhe me të cilin kam punuar. Sa më përket mua, ata mund të thonë çfarëdo që u shkon në mendje".

Scorsese deklaroi se filmat e Marvel nuk janë aspak filma në kuptimin e vërtetë, gjë që ka hasur në mjaft kritika nga fansat e MCU dhe nga personat e famshëm nga bota e filmit, por fituesi i çmimit Oscar nuk hezitoi të jepte kritika të mëtutjeshme për kinematë të cilat ai i quajti "parqe argëtimi", shkruan KOHA Ditore. Coppola i doli atij në mbrojtje, me ç’rast ishte edhe më i rreptë dhe tha se i përçmon ata filma sepse nga filmat pritet të marrim diçka, njohuri, frymëzim, gjë që filmat e Marvel nuk japin.
Favreau e bëri regjinë dhe luajti në filmin e parë me produksion të Marvel në vitin 2008, Iron Man, dhe që atëherë është shfaqur në MCU, qoftë si regjisor apo edhe në filma. Ai ka punuar si producent ekzekutiv në të gjitha filmat e Avengers dhe gjithashtu ka luajtur në bashkëpunimin Sony-Disney Spider-Man: Homecoming dhe Spider-Man: Far From Home.
Jon Favreau aktualisht është duke punuar në uestern serinë e vendosur në botën e Star Wars, The Mandalorian, ku luajnë Taika Waititi, Giancarlo Esposito dhe Pedro Pascal. Seriali do të transmetohet në shërbimin streaming Disney+ nga 12 nëntori.