Legjenda e rokut Jon Bon Jovi ka thënë se ende nuk ka arritur gjithçka që dëshiron si artist, prandaj mendon se nuk ka ardhur koha që jeta e tij të shndërrohet në film.
“Historia ime ende po shkruhet”, ka thënë 63-vjeçari për Sky News.
Megjithëse nuk e sheh të përshtatshme të bëhet një film për të, Bon Jovi pranoi se është admirues i madh i filmit të ri biografik për yllin Bruce Springsteen, “Deliver Me from Nowhere”, ku rolin e këngëtarit legjendar e luan aktori Jeremy Allen White.
Bon Jovi është mik i hershëm i Springsteenit, dhe ka treguar se e ka shijuar filmin duke e parë përkrah tij në kinema.
“Është një film vërtet i mirë. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1982 dhe atë vit shkrova këngën ‘Runaway’. Luaja vetëm dy blloqe larg vendit ku ai performonte çdo të diel me një bend tjetër. Madje, shfaqjet tona ndonjëherë përkonin, prandaj mbyllnim barin tonë dhe shkonim ta shihnim, sepse e dinim që ai po performonte”, ka thënë ai.
Bon Jovi ka kujtuar me humor momentin kur e pa filmin në kinema përkrah Springsteenit.
“Ishte si të hipnim në një makinë kohe. E përjetoja, sepse kjo ishte pjesë e jetës sonë në New Jersey dhe e asaj që Bruce ka përfaqësuar për të gjithë ne”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, aktori Jeremy Allen White, i cili e luan Springsteenin në film, ka treguar se vetë këngëtari ka qenë shpesh i pranishëm në xhirime, si producent ekzekutiv i projektit.
“Bruce ishte producent i filmit, dhe ai bashkë me menaxherin e tij, Jon Landau, të cilin në film e luan Jeremy Strong, ishin shpesh aty. Ata kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme që zgjat prej dekadash, dhe gjithmonë kanë pasur nën kontroll çdo aspekt të karrierës dhe imazhit të Bruceit”, ka thënë ai në një intervistë për Thw Hollywood Reporter.
Ai ka shtuar se e kupton pse Springsteen dëshironte të ishte aq i përfshirë.
“Është hera e parë që ata i lëshojnë disi frerët, ndaj është krejt e kuptueshme që Bruce donte të ishte aty, për të parë se si historia e tij po merrte jetë në ekran”, ka thënë ai.