Këtë vit do të transmetohet sezoni i pestë dhe i fundit i “Fuller House, por një anëtare nuk do të jetë pjesë e ekipit të aktorëve. Natyrisht, fjala është për Lori Loughlin ose teton Becky, ndërsa producentët nuk janë ende të sigurt se çfarë do të ndodhë me karakterin e saj.
T’ju rikujtojmë, Lori Loughlin është vetëm një nga 50 personat e përfshirë në skandalin e madh të dhënies së mitës në fakultetet prestigjioze. Ajo dhe bashkëshorti i saj Mossimo Giannulli akuzohen se ia kanë dhënë madje 500.000 dollarë fakultetit ashtu që të dy vajzat e tyre të regjistrohen në programin prestigjioz, dhe që të dy kanë deklaruar se nuk ndihen fajtorë. The Hallmark Channel, me të cilin Loughlin ka bashkëpunuar në disa filma, i ka shkëputur të gjitha lidhjet me të më 14 mars, ndërsa Netflixi, në të cilin shfaqet “Fuller House”, e ka bërë këtë dy ditë më vonë. Ende ka mbetur pyetja e hapur se çfarë do të bëjnë producentët dhe skenaristët me karakterin e saj në sezonin e fundit, shkruan KOHA Ditore.
Dhe derisa fansat po pyesin se çfarë zgjidhjeje është gjetur, aktori dhe producenti John Stamos, në një intervistë me Entertainment Tonight zbuloi se ata ende nuk e kanë asnjë ide. Stamos në seri e luan bashkëshortin e Loughlin (të cilin e njohin të gjithë si xhaxhi Jesse) dhe ata të dy janë shfaqur shpesh, ndërsa tani askush nuk e di çfarë të bëjë me të. "Këtë javë do të bisedoj me disa njerëz dhe do të shohim se si të procedohet. Situata është e vështirë për të gjithë ata që janë të përfshirë. Për të gjithë. Për të gjithë. Dhe nuk mendoj vetëm për anën tonë", tha ai.

Ekipi i serisë Fuller House nuk ka dhënë deklarata zyrtare në lidhje me situatën, por si duket ata po i japin mbështetje ish-koleges, gjë që është konfirmuar në mars në Kids' Choice Awards, kur Andrea Barber (Kimmy) deklaroi: "Kjo familje ka zemër të madhe. Dhe kur ke zemër të madhe, atëherë ka edhe shumë dashuri. Një familje e tillë mbahet bashkë pa marrë parasysh të gjitha".
Sezonin e pestë dhe të fundit të “Fuller House” e presim në Netflix, në fund të këtij viti.