Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jim Carrey kritikon ashpër Smithin dhe kolegët e tij të Hollywoodit

Aktori dhe komediani i famshëm, Jim Carrey, i ka kritikuar ashpër kolegët e pranishëm në ceremoninë “Oscar”, për faktin se e duartrokitën dhe e përcollën me ovacione Will Smithin, pas veprimit të tij të pahijshëm kur e qëlloi me shuplakë yllin e komedisë, Chris Rock.

Pas incidentit shokues që ndodhi të dielën mbrëma, Smith u nderua nga Akademia me çmim “Oscar” në kategorinë “Aktori më i mirë”, për rolin e tij në filmin biografik “King Richard”. Me të dalë në skenë, aktori e dha një fjalim emocional dhe filloi të qajë, me ç’rast i kërkoi falje organizatorëve dhe kolegëve të tjerë të nominuar, por e anashkaloi viktimën e veprimit të tij të dhunshëm, Rock. Dhe në fund të fjalimit, ai u mirëprit me duartrokitje dhe ovacione nga të pranishmit në sallë.

Në një intervistë të realizuar të martën (29 mars) për kanalin CBS, Carrey e kritikoi ashpër Smithin për veprimin e tij dhe publikun për mënyrën si reagoi, raportoi të mërkurën portali “NME”.

“Më erdhi mundim nga ovacionet që ia bënë atij. Më dukej sikur Hollywoodi, në masë të madhe, përbëhet nga njerëz pakurrizorë. Me të vërtetë nënkuptohej se ky veprim është një tregues i qartë se ne nuk jemi klubi i personave ‘cool’”, deklaroi aktori.

I pyetur rreth refuzimit të Rockut për ta paditur Smithin, Carrey tha: “Ai nuk dëshiron sherr. Unë do ta padisja Willin për 200 milionë dollarë, sepse ajo video do të jetojë online përgjithmonë. Kjo fyerje do të zgjasë shumë gjatë. Nëse dëshiron të bërtasësh nga publiku në shenjë mosmiratimi ose të shkruash diçka në Twitter, je i lirë ta bësh këtë, por askush nuk ka të drejtë të ngjitet në skenë dhe ta godasë dikë në fytyrë, për shkak të disa fjalëve që ty nuk po të pëlqejnë. Shuplaka erdhi papritur sepse Willi ka diçka përbrenda, që po e bën atë person të frustruar. Ia uroj më të mirat. Nuk kam asgjë kundër Will Smithit. Ai ka bërë gjëra të mëdha në karrierë, por ky nuk ishte një moment i mirë. Ky veprim i dhunshëm e njollosi triumfin e tij dhe ua prishi të gjithëve disponimin dhe eksperiencën në këtë ngjarje glamuroze”.

Edhe Will Smith rrëfen periudhën e vështirë pas shuplakës në “Oscar” Showbiz Will Smith rrëfen periudhën e vështirë pas shuplakës në “Oscar”

Një ditë më vonë, Smith e publikoi një deklaratë për media me anë të së cilës i kërkoi falje publike, kolegut të tij Rock.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit i ka filluar hetimet rreth këtij incidenti dhe po i analizon veprimet dhe pasojat, në përputhje me ligjin e Kalifornisë dhe standardet e Akademisë për sjellje.