Showbiz

Jennifer Garner siguron rolin e ëndrrave në serialin e ri të Apple TV+

Nëse keni pasur rastin ta lexoni romanin e autores Laura Dave, “The Last Thing He Told Me”, dhe nuk keni mundur të shkëputeni nga ai, atëherë nuk jeni të vetmit. Ky libër i kaloi 65 javë si bestseller në listën e gazetës “New York Times”, dhe një prej lexuesve pasionant të tij ishte dhe aktorja e njohur hollywoodiane, Jennifer Garner.

“Pikë së pari, libri më pëlqeu aq shumë sa nuk mund as ta shpjegoj. E kam lexuar së bashku me vajzën time Seraphina, dhe vazhdimisht e shtynim kohën e gjumit sepse donim ta lexonim edhe një kapitull më shumë. Prandaj, nëse nuk e keni lexuar librin ‘The Last Thing He Told Me’, ju them se duhet ta bëni këtë patjetër. Personazhi të cilin unë e personifikoj në serial, Hannah dhe unë, jemi krejtësisht ndryshe nga njëra-tjetra. Unë e kam një energji më ndryshe dhe më pëlqen të jem e rrethuar me njerëz, kurse ajo preferon të qëndrojë e vetme. Por, me kalimin e kohës ajo ndryshon dhe fillon të sillet sikur një nënë e vërtetë. Ky projekt e sjell këtë proces të prindërimit dhe asaj se sa shumë mëson nga fëmija të cilin je duke e rritur dhe edukuar. Po ashtu më ka lënë përshtypje fakti se si prindërimi ndodhë në momentet më të vështira”.

Eksperienca e saj e bukur e leximit u shndërrua në “rolin e ëndrrave”, kur Julia Robert, e cila fillimisht ishte angazhuar në rolin protagonist të serialit të bazuar në librin “The Last Thing He Told Me”, u desh të heq dorë nga projekti për shkak të agjendës së ngjeshur. Autorja e romanit në fjalë, Laura Dave, e bashkëkrijoi serialin me bashkëshortin e saj të shpërblyer me “Oscar”, Josh Singer, i cili e shkroi dhe adaptoi skenarin e tij. Kurse ylli i kinematografisë, Reese Witherspoon, shërben si producente ekzekutive e projektit.

Jennifer Garner e luan rolin e Hannah Hall, e cila martohet me një burrë të quajtur Owen. Tani, ajo nuk është vetëm një grua e sapomartuar por edhe njerka e vajzës tinejxhere të Owenit, Bailey, e cila e ka inat atë për faktin se ka hyrë në mes të raportit të saj të afërt me të atin. Një ditë Owen zhduket dhe e lë prapa një mesazh për gruan e tij, përmes së cilit e këshillon atë që ta mbrojë Baileyn, pa i dhënë ndonjë informatë shtesë rreth asaj që është duke ndodhur. Papritur, Hannah dhe Bailey mbesin të vetme, të hutuara dhe të detyruara për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me personin e tyre të dashur.

Ideja e portretizimit të një personi e cila me kalimin e kohës shndërrohet në një nënë që e bënë të pamundur për ta mbrojtur fëmijën e saj, ishte diçka që e intrigoi aktoren ta pranojë rolin. Duke qenë nënë e tre fëmijëve, ajo graviton te fëmijët dhe e përshkruan veten si një “kujdestare natyrale”. Garner është gjithashtu bashkëthemeluese e kompanisë së fëmijëve të përqendruar tek prodhimet e freskëta, “Once Upon a Farm” dhe anëtare e bordit në organizatën “Save the Children”. Aktorja po ashtu ka luajtur në disa filma për familje të tillë si, “Yes Day” dhe “Alexander and the Terrible, Horrible, No Good, Very Bad Day”.

Në anën tjetër për aktoren e re Angourie Rice, e cila në serial e luan rolin e Baileyt, ajo është dashur të përshtatet me portretizimin e një vajze e cila nuk e njeh raportin nënë dhe vajzë.

“Bailey nuk di si të sillet me një nënë. Ajo e ka pasur vetëm një person në jetën e saj, që është babai. Ai ka qenë gjithmonë njeriu i parë dhe i vetëm të cilit I është drejtuar sa herë ka pasur nevojë. Kemi diskutuar shumë për dinamikën e një raporti të tillë, të qenit një fëmijë që e ka vetëm njërin prind dhe është mësuar të jetë e vetme. Kjo gjë ndikon shumë në mënyrën se si një vajzë rritet dhe në çfarë personi shndërrohet. Prandaj, kur ajo e humb të atin, peronin në të cilin ka llogaritur gjithmonë, Bailey fillon ta kundërshtojë njerkën e saj Hannah sepse është e kundërta e babait të saj. Ajo nuk e kupton atë dhe nuk e ka rritur në vajzën që është sot. Bailey është mësuar të jetë e mirëkuptuar nga babai i saj, kurse me të ndodhë e kundërta. Por megjithëkëtë, ajo është një vajzë e fuqishme dhe i qëndron pas gjërave në të cilat beson. Prandaj mendoj se ajo e kundërshton njerkën e saj as shumë dhe shkakton konflikte të mëdha”.

Seriali “The Last Thing He Told Me” debuton në platformën Apple Tv+ më 14 prill.