Rymir Satterthwaite, një muzikant 30-vjeçar, i cili prej vitesh pretendon se është djali biologjik i reperit me famë botërore, Jay-Z, ka hequr dorë nga padia e tij federale ndaj reperit. Arsyeja? Siç tha vetë Rymir, ka “shumë gjëra që po ndodhin prapa dyerve të mbyllura”.
“E kam tërhequr rastin. Nuk e kam ndalur luftën. Duhet të tërhiqemi dhe të luajmë shah, jo drama”, ka thënë Rymir në një video të publikuar më 27 korrik në Instagram, ka raportuar E News!
Në padinë e dorëzuar në muajin maj, Rymir nuk kërkonte pagesë për kujdes prindëror, por dëmshpërblim për stres emocional dhe dëmtim të reputacionit, duke akuzuar Jay-Z se: “Ka mashtruar disa gjykata, ka shtrembëruar faktet dhe ka penguar të drejtën time për procedurë të rregullt ligjore, duke përdorur sistemet gjyqësore për të fshehur të vërtetën për faktin se kush është babai im.”
Jay-Z, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Corey Carter, nuk ka komentuar publikisht për tërheqjen e padisë, por përmes dokumenteve të dorëzuara më 16 qershor, avokatët e tij e kanë quajtur padinë e Rymirit të sajuar.
“Akuza të sajuara, të cilat janë shqyrtuar dhe refuzuar nga disa gjykata gjatë dekadave të fundit”, kanë deklaruar avokatët e yllit.
Sipas ekipit ligjor të artistit, padia nuk i është dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe Jay-Z as nuk ishte në dijeni për të një muaj pasi ishte dorëzuar.
Ani pse është tërhequr nga rasti federal, Rymir ka lënë të kuptohet se nuk do të ndalet.
“Lufta nuk ka mbaruar. Thjesht po luajmë me kujdes”, ka thënë ai në videon e publikuar.
Pavarësisht këtij rasti, historia personale e Jay-Z mbetet një udhëtim i jashtëzakonshëm, nga lagjet e vështira të Brooklynit te pozita e miliarderit dhe ikonës globale.
Në një intervistë për NPR më 2010, ai kujtoi fëmijërinë në Marcy Projects.
“Një ditë luanim dhe hanim akullore… ditën tjetër ndodhnin të shtëna në mesditë. Ishte një përzierje e çuditshme emocionesh”, pati thënë ylli.
Jay-Z nisi të merrej me muzikë në moshën 9-vjeçare dhe për revistën prestigjioze GQ pati treguar se filloi duke imituar reperë të tjerë në lagje.
Kur babai i tij u largua nga familja, nëna e Jay-Z, Gloria Carter, e rriti e vetme atë dhe motrat e vëllezërit e tij. Më vonë, përmes ndërhyrjes së nënës, Jay-Z do të ribashkohej me të atin përpara se ai të ndërronte jetë.
Në një tjetër rrëfim në emisionin “Late Night” me David Letterman, Jay-Z pati treguar se në rininë e tij ishte ngarkuar me probleme të shumta: “tregti droge, të shtëna armësh, varfëri. Por edhe ëndrra për një jetë më të mirë”.
“Në moshën 14-15-vjeçare mendoja vetëm për atlete, për të paguar rrymën apo për të futur ushqim në shtëpi. Nuk mendoja për dëmet që i shkaktoja komunitetit”, pati thënë ai për NPR.
Në vend të një fletoreje, shpesh shkruante tekstet në qese letre nga dyqani, dhe i mësonte përmendsh derisa të kthehej në shtëpi. Sot, nuk i shkruan më tekstet, por i mban në mend të gjitha.
Ai është i martuar me superyllin Beyoncé dhe së bashku kanë tre fëmijë: Blue Ivy (13 vjeçe) dhe binjakët Rumi e Sir (8 vjeç). Jay-Z e ka pranuar publikisht se i ka bërë gabime në martesë, por megjithatë e ruajtën dashurinë.
“Kam një grua të mrekullueshme që më kuptoi dhe e dinte se nuk jam më i keqi i veprimeve të mia. Bëmë terapitë e vështira me psikolog për çifte dhe e ruajtëm dashurinë”, ka thënë reperi.
Ai herë pas here ka dhënë këshilla edhe për brezat e rinj.
“T’u mësoj fëmijëve dhe të tjerëve të kenë dhembshuri për të tjerët. Të kuptojnë sakrificat që janë bërë për ne, dhe të vazhdojnë përpara”, ka thënë Jay-Z.