Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jay-Z padit zyrtarët e burgut në Misisipi

Raperi amerikan Jay-Z të martën ka paditur dy zyrtarë të burgut të Misisipit, në emër të 29 të burgosurve të cilët thonë se autoritetet nuk kanë bërë asgjë për ta ndaluar dhunën, si pasojë e së cilës pesë të burgosur përfunduan të vdekur.

Sipas raportimeve të NBC News, ngjarja ka ndodhur para dy javëve.

Padia e ngritur në Gjykatën e Qarkut në Greenville të Misisipit, e iniciuar nga avokati i producentit të njohur amerikan, Alex Spiro, potencon që këto vdekje janë rezultat i drejtpërdrejtë i moskujdesit absolut të autoriteteve, ndaj personave të burgosur aty si dhe i shkel të drejtat e tyre kushtetuese.

Spiro, në emër të muzikantit Jay-Z dhe hip-hop artistit Yo Gotti, e ka shkruar një letër për guvernatorin e Misisipit, Phil Bryant, ku thuhej se: “janë të gatshëm t’i ndjekin të gjitha rrugët e mundshme për t’iu dalë në ndihmë të burgosurve dhe familjarëve të tyre”.

Në padinë e lëshuar ndaj kreut të Departamentit Korrektues të Misisipit dhe kujdestarit të burgut shtetëror, kërkohet dëmshpërblim për të burgosurit si dhe lëshimin e një urdhri, i cili e detyron këtë Departament t’i adresohet këtyre çështjeve, kryesisht duke e rritur stafin e punëtorëve.

Departamenti Korrektues i Misisipit dhe firma ligjore e Spiros, “Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan LLP”, nuk kanë pranuar të komentojnë me shumë rreth rastit.