Ylli i hitit “Fancy”, Iggy Azalea, e ka zbuluar dhe një detaj të ri për djalin e saj, një muaj pasi e bëri publik lajmin se e ka sjellë në jetë një fëmijë, në fshehtësi të plotë.
Përmes një postimi të fundit në Instagram, ajo e ndau një video ku dëgjohet duke biseduar me foshnjën e saj, dhe kështu e bëri të ditur emrin e djalit, që është Onyx, transmeton Koha.
Ndërkohë, Iggy, emri i vërtetë i së cilës është Amethyst Amelia Kelly, e kishte bërë të ditur lajmin se është bërë nënë në qershor të këtij viti, si dhe e ka pranuar që e ka pritur kohën e duhur për ta konfirmuar lajmin, ngase është ndier në ankth për ta ndarë një pjesë kaq të madhe të jetës së saj me publikun e gjerë, i cili shpesh edhe e ka paragjykuar atë.
Tutje, reperja australiane ka deklaruar që dëshiron që jetën e Onyxit ta mbajë sa më private, kjo ngase ai është gjëja më e rëndësishme dhe më e dashur në jetën e saj.
Vjetëve të fundit, Azalea ka qëndruar pak më larg syrit të publikut, si në jetën private ashtu edhe atë profesionale.
Përderisa ajo ishte bërë e famshme brenda natës me lansimin e këngës “Fancy”, në vitin 2014, dhe disa hiteve tjera si: “Team”, “Work”, “No Mediocre”, “Problem”, “Booty” dhe “Black Widow”, përgjatë kalimit të kohës ajo u përball edhe me kritika të shumta dhe rivalitet të ashpër me koleget e saj repere.
Kjo gjë ndoshta edhe e ka bërë atë të shkëputet për ca koha nga skena e muzikës, për t’u rikthyer pastaj me këngë të tilla si: “Sally Walker”, “Switch”, “Savior”, “Lola”, “Started” dhe të tjerë.