Vetëm pak ditë pasi u njoftua se Will Smith ka vendosur të largohet nga roli i Deadshot në filmat e ardhshëm për “Suicide Squad”, erdhi lajmi për zëvendësimin e tij. Hollywood Reporter raporton se rolin e Deadshot do ta marrë Idris Elba.
Regjisori dhe skenaristi James Gunn tashmë është i gatshëm ta krijojë vazhdimin e filmit “Suicide Squad” nga viti 2016, në të cilin Smith dhe Margot Robbie (të cilën e pamë në rolin e Harley Quinn) i kishin rolet kryesore.
Filmi ishte përshtatje e stripit të DC Comics për keqbërësit dhe anti-heronjtë të cilët detyrohen të punojnë në një mision të rëndësishëm qeveritar, shkruan KOHA Ditore.
Pasi që krijimi i vazhdimit filloi shumë ngadalë, paraproduksioni papritmas u “ngjall” pasi që u shfaq Gunn dhe e bëri skenarin e ri, i cili e mahniti Warner Bros. Ditë më parë, Elba u takua me Gunn dhe me sa duket takimi shkoi aq mirë sa që menjëherë filluan të negociojnë për detajet.
Nëse të gjitha bisedimet kalojnë pa komplikime dhe filmi fillon me produksionin, filmin do të duhej ta shohim në kinema më 6 gusht 2021.