Showbiz

I dënuari për vrasje dyshohet për therjen e reperit Tory Lanez në burg

Tory Lanez

Një i burgosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dënuar për vrasje, është identifikuar si personi që dyshohet se ka therur me thikë reperin kanadez Tory Lanez brenda një burgu në Kaliforni, sipas autoriteteve të burgjeve, ka raportuar BBC.

Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Daystar Peterson, u dërgua me urgjencë në spital pasi u godit me thikë 14 herë të hënën në mëngjes në një njësi banimi të Institucionit Korrektues të Kalifornisë në Tehachapi.

Sipas zyrtarëve të burgut, i dyshuari është Santino Casio, 41 vjeç, një i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

“Ai u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi apeli për vrasje të shkallës së dytë, tentativë vrasje të shkallës së parë, përdorim personal të një arme të rrezikshme dhe shkaktim të dëmtimeve të mëdha trupore”, thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Burgjeve të Kalifornisë (CDCR).

Casio ka qenë në burg që nga shkurti i vitit 2004, kur u transferua nga burgu i qarkut të Los Angelesit. Autoritetet konfirmuan se ai është vendosur në strehim të kufizuar ndërsa vazhdon hetimi.

Sipas një postimi në llogarinë zyrtare të Instagramit të reperit, ai pësoi dështim të dy mushkërive dhe u vendos përkohësisht në aparat frymëmarrjeje.

“Pavarësisht dhimbjes, ai po flet normalisht, është në gjendje të mirë shpirtërore dhe jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Zotit që po e kalon këtë situatë”, thuhet në postim.

Lanez, 32 vjeç, po vuan dënim 10-vjeçar për tri akuza penale për armë zjarri, përfshirë sulm me armë gjysmë-automatike, lidhur me një incident të ndodhur në vitin 2020.

Ai qëlloi me armë reperen Megan Thee Stallion (emri i vërtetë: Megan Pete), teksa po largoheshin nga një festë në shtëpinë e yllit televiziv Kylie Jenner.