Krejt sytë ishin të kthyer kah aktorja e njohur Megan Fox dhe i dashuri i saj Machine Gun Kelly, teksa çifti kishte arritur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve iHeartRadio Music Awards.
Teksa ka parakaluar në tepihun e kuq, aktorja 35-vjeçare dukej joshëse përkrah të dashurit, i cili ka rrokur vëmendjen e mediave për thonjtë e tij të gjatë që i kishte përshtatur me ngjyrën e fustanit të Foxit.
31-vjeçari Kelly është paraqitur me stilin e tij të zakonshëm, me xhaketë të bardhë dhe pantallona të shkurtër. Aktorja Fox, nënë e tre fëmijëve, që bëri kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti Brian Austin Green në nëntorin e vitit 2020, kishte të veshur pantallona dhe bluzë të ngjyrës rozë. Ajo ka qenë e martuar me Greenin për dhjetë vjet. Dyshja gjatë muajve të fundit ka bërë përpjekje për të arritur një marrëveshje rreth kujdestarisë për tre fëmijëve.
Me këngëtarin Machine Gun Kelly lidhjen e kishte nisur gjatë xhirimeve në Pueto Rico të filmit “Midnight In The Switchgrass”, në të cilin luajnë aktorët Bruce Willis, Emile Hirsch dhe Lukas Hass.
Në një intervistë të fundit, aktorja ka thënë se lidhja me këngëtarin nuk është e zakonshme.
“Në vend të shpirtit binjak, flakërima e dyfishtë është kur shpirti kalon në një nivel aq të lartë sa mund të ndahet në dy trupa në të njëjtën kohë. Pra ne jemi dy gjysma me një shpirt”, ka thënë aktorja.