Showbiz

“I Am Greta” – Dokumentari për një rrugëtim të pazakontë jetësor

Ka shumë gjëra të jashtëzakonshme në dokumentarin e ri “I Am Greta”.

E para – filmimi është realizuar. Regjisori i tij, Nathan Grossman, nuk kishte bërë më parë asnjë dokumentar. Si një student i dikurshëm i filmit, ai ishte kureshtar kur dëgjoi se më 2018 një 15-vjeçare suedeze, Greta Thunberg, kishte vendosur ta bojkotonte mësimin për t’u ulur para Parlamentit të shtetit në Stokholm, si pjesë e asaj që ajo e quante “grevë klimatike”.

Dhe filloi xhirimet pas disa ditësh. Në fillim xhiroi me një kamerë të cilësisë së ulët, në mënyrë që ta ruante hapësirën e memories së saj, duke menduar se do të ishte me fat nëse me historinë e saj do të mund të kapte sado pak vëmendjen e lajmeve lokale, transmeton KOHA shkrimin e BBC.

Por, brenda javësh, fëmijët kudo përreth botës kishin filluar grevat e tyre klimatike.

Arnold Schwarzeneggeri i kishte ripostuar publikimet në Twitter të Thunbergut dhe Grossmani veçse kishte bërë bujë të madhe. Kësisoj, vazhdoi të xhironte Thunbergun dhe babanë e saj në çdo cep dhe nisi aventurën që do ta shpaloste gjatë vitit të ardhshëm.

Dhe çfarë aventure se! Vetë Thunbergu ka thënë se mund të bëhej film, mirëpo se ky rrëfim i saji do të ishte shumë surreal “për shkak se komploti do të dukej i pamundur”.

Vetëm rrugëtimi i saj është mjaftueshëm emocionuese, por “I Am Greta” paraqet shumë më tepër se kaq.

Ajo që Grossmani ka bërë është film për një rrugëtim jetësor, i ngërthyer me petkun e një superheroi. Kjo është historia se si një fëmijë i vetmuar dhe rebel zbulon fuqitë e fshehta dhe i përdor ato për ta ndryshuar botën.

Sekreti i forcës tërheqëse të Gretës

E tërë ngjarja duket shumë e pamundur. Ama del se kjo vajzë e vogël, me gërsheta e thurura të flokëve bojë ari, ka një forcë tërheqëse tejnatyrore.

Përderisa mundohemi ta kuptojmë paradoksin se pse kjo është kështu, fillojmë ta kuptojmë se çfarë në fakt ka Thunbergu që është kaq e veçantë.

Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se sa të pafalshëm janë dokumentarët që kanë këto tema: nëse shtireni se jeni dikush që s’jeni, do të zbuloheni. Mënyra e vetme për të qenë “të mirë” në filma si ky është të jeni vetvetja. Duke e shikuar filmin e kuptoni se Thunbergu është kaq magjepsëse vetëm për shkak se është tërësisht autentike.